Gjykata e dënon, Xhelal Mziu inspekton punimet në rrugët e Kamzës

Gjykata e dënoi me 2 vjet burg, por kjo nuk e ka penguar Xhelal Mziun që të vijojë punën e tij. Në të njëjtën kohë kur po jepej vendimi, Xhelal Mziu ishtë duke inspektuar punimet në rrugën “Kozare” që lidh qëndrën e Laknasit dhe Kamzëz.“Aktualisht jemi në investimin e rrugës “Kozare”. Është një segment rrugor mjaft i rëndësishëm për qytetin e Kamzës, është një nyje lidhëse për lagjen e Laknasit me qendrën e Kamzës. Është një investim që kushton më shumë se 15 milionë lekë të reja me të ardhurat e Bashkisë. Nuk është segmenti i parë që është investuar në këtë vit. Janë më shumë sesa 50 segmente rrugore dhe kanale të ujërave të zeza të cilat do të jenë pjesë e investimeve të buxhetit të Bashkisë për vitin 2015, por edhe disa investime të cilat kanë qenë me financim 2-vjeçar. Kjo rrugë në të cilën ne jemi, ka një impakt të jashtëzakonshëm social për qytetarët e kësaj zone, por edhe për të tjerë, duke qenë një nyje lidhëse. Janë disa segmente rrugore të cilat janë bërë. Nuk është e para edhe për këtë vit. Sidoqoftë, e rëndësishme është që buxheti i Bashkisë është ndër buxhetet më konkurruese, jo vetëm me vitet e kaluara, - ka thënë kreu i Bashkisë Kamëz gjatë inspektimit të punimeve. - Edhe pse ka munguar financimi nga qeveria, që dy vitet e fundit ka qenë zero, por falë menaxhimit të Bashkisë, falë taksave dhe tatimeve të mbledhura, janë dërguar këto taksa dhe tatime të mbledhura jo për paga të punonjësve, jo për shpenzime të kota, por për investime”. “Duhet të theksoj që edhe pse ka qenë viti i tetë i drejtimit të kësaj Bashkie, në çdo vit ne kemi pasur një shifër rekord, më shumë sesa 60%  të buxhetit të Bashkisë ka shkuar për investime. Edhe ky vit do të ketë të njëjtin trend për të pasur sa më shumë investime, të cilat kanë qenë kryesorja në këto tetë vite”, - është shprehur z. Mziu. Në lidhje me rikandidimin e tij për herë të tretë për kryetar të Bashkisë Kamëz, z. Mziu tha se e konsideron një përgjegjësi të jashtëzakonshme mandatin e tretë, aq më tepër që tani Kamzës i bashkëngjitet edhe Paskuqani, duke shtuar më tej se ky besim i dhënë nga Partia Demokratike ka ardhur falë punës së bërë për tetë vite në krye të Bashkisë, si dhe partneritetit më qytetarët e Kamzës dhe me faktorë të tjerë. Pavarësisht bllokadës së qeverisë për mosfinancim projektesh konkurruese për Bashkinë Kamëz, kryebashkiaku Mziu prej më shumë se një muaji po inspekton punimet në dhjetëra segmente rrugore me fondet e Bashkisë. Ndryshimet në Kamëz janë të prekshme dhe kjo falë një pune të madhe të bërë nga Bashkia ndaj dhe për këtë kryebashkiaku Mziu ka pasur besimin e qytetarëve. Kamza është një qytet në zhvillim intensiv. Nga viti 2007 e deri më sot, Kamza ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm, i cili vihet re në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, arsimore, shëndetësore, kulturore, sportive etj.Më konkretisht:Së pari: kemi mbi 120 km rrugë të reja të asfaltuara nga 12 km që ishin në vitin 2007. Vetëm në vitin që sapo u mbyll, u shtruan 25 km rrugë të një standardi bashkëkohor.Së dyti: në vitin 2007 në Kamëz kishim 8 objekte shkollore, sot kemi mbi 25 objekte shkollore, pa përmendur ndërhyrjen në rikonstruksionin e objekteve ekzistuese. U arrit të ulet mbipopullimi i klasave, nga 50-60 nxënës në 32 nxënës në klasë.Së treti: përgjatë viteve të qeverisjes së z. Mziu në territorin e Bashkisë së Kamzës janë shtuar rreth 104 mijë m2 sipërfaqe e gjelbëruar si dhe janë mbjellë mbi 16 mijë pemë dekorative.Së katërti: radhët për të marrë shërbime nuk ekzistojnë më, me ndërtimin e One Stop Shop-it, qendra më e madhe dhe më e mirë të shërbimeve në Shqipëri me 35 sportele në shërbim të qytetarëve.Së pesti: një nga iniciativat më të rëndësishme të qeverisjes lokale është edhe krijimi i kushteve komode për të hapur biznes. Në vitin 2007 në Bashkinë Kamëz kishim 600 biznese, sot kemi mbi 1800 biznese dhe për pasojë janë punësuar mbi 10 mijë vetë.Së gjashti: binjakëzimet janë një tjetër faktor që e çuan Bashkinë Kamëz drejt suksesit. Kjo bashki u shndërrua shpejt në një nga partnerët më potencialë e aktivë në marrëdhëniet me qeverisjen qendrore e vendore, shoqërinë civile dhe organizmat ndërkombëtarë, duke fituar besimin dhe mbështetjen e tyre të plotë.Së shtati: Kamza është qyteti i parë që ka miratuar planin urbanistik. Ky ishte një lajm shumë i mirë për qytetarët e kësaj zone, biznesin si dhe vetë Bashkinë.Së teti: “Kryeqyteti” i ndërtimeve pa leje sot është me sistem të plotë adresash. Shumëkush e konsideron Kamzën si kryeqytetin e ndërtimeve pa leje, por sot ky qytet jo vetëm që ka një sistem të plotë adresash dhe banesash të kodifikuara, por e ka të implementuar dhe Kodin Postar.Së nënti: Bashkia Kamëz nuk ka lënë për asnjë moment mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, jetimët, nxënësit dhe studentët e dalluar, për sportin dhe kulturën.