KQZ apel 20 Bashkive: Dorëzoni dokumentacionin për ngritjen e KZAZ-ve
20 Bashki nuk kanë dorëzuar ende dokumentacionin për ngritjen e KZAZ-ve për zgjedhjet e 21 qershorit, mes të cilave edhe Bashkia Tiranë."Janë 20 Bashki që nuk kanë sjellë asnjë propozim për ambientet ku do të vendosen 34 KZAZ. Në mënyrë që të zhvillohet mbledhja e parë e KZAZ-ve dhe konstituimi i tyre, është i domosdoshëm përcaktimi i selive ku do të vendosen Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, dhe mos sjellja e propozimeve për ambientet nga ana e Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore pengon punën e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve. Pra, për shkak të neglizhencës së Kryetarëve të Njësive të Qevrisjes Vendore, jemi në kushtet ku KQZ nuk ka ende selitë për 34 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor, zyra në të cilat do të zhvillohet mbledhja e parë dhe do të bëhet konstituimi i tyre Deri tani kanë sjellë propozime 41 Bashki për 56 KZAZ".Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, apeloi krerët e 20 Bashkive që të mos bëhen pengesë për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve dhe kujtoi se afati i fundit është data 16 prill."Duke marrë në konsideratë se afatet kohore për kryerjen e procedurave për ngritjen dhe konstituimin e KZAZ-ve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ben thirrje Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore që të sjellin në mënyrë urgjente propozimet për ambientet ku do të vendosen selitë e KZAZ-ve. Më konkretisht thirrja i drejtohet këtyre Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore që ende nuk kanë sjellë asnjë propozim: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucioni më i lartë që organizon dhe administron zgjedhjet, është maksimalisht i angazhuar për përgatitjen e procesit zgjedhor dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar askënd që të pengojë punën e KQZ për mirëorganizimin e procesit zgjedhor. Ndaj ju rikujtojmë Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore që të sjellin menjëherë në KQZ propozimet për ambientet ku do të vendosen zyrat e KZAZ-ve".