Obama në Xhamajkë, për të rifituar Karaibet nga Venezuela
Barak Obama u bë të enjten Presidenti i parë amerikan që viziton Xhamajkën në më shumë se 30 vjet, për të marrë pjesë në Samitin e shteteve të Karaibeve.Që prej Ronald Reganit në vitin 1982, asnjë President tjetër amerikan nuk kishte shkelur në ishull dhe kjo vizitë shihet si një përpjekje për t'u treguar fqinjëve të vegjël se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë harruar.Obama do të marrë gjithashtu pjesë të shtunën në Samitin e hemisferës perëndimore që zhvillohet në Panama, ku pritet të përballet me Presidentin venezuelian, Nikolas Maduro, si dhe të takojë për herë të parë Presidentin kubanez, Raul Kastro, që prej shpalljes së normalizimit të marrëdhënieve.Uashingtoni po përpiqet të luftojë hegjemoninë e Venezuelës në rajon, pasi kjo e fundit ka përfshirë të gjithë shtetet e Karaibeve në programin e saj të naftës, duke u ofruar çmime më të lira sesa ai i tregut në përpjekje për të rritur ndikimin në rajon.Administrata e Obamës ndërmori një Nismë për Sigurinë e Energjisë në Karaibe vitin e kaluar, ndërsa në janar zëvendës/presidenti Xho Bajdën priti liderët e rajonit në një Samit ku u diskutua për burimet alternative të energjisë, si era dhe dielli.