BSH: Aftësia për të paguar borxhin e jashtëm është përkeqësuar
Aftësia ripaguese afatgjatë e borxhit të jashtëm është përkeqësuar duke nisur nga vitit 2008, ka njoftuar Banka e Shqipërisë nëpërmjet një analizë për borxhin e jashtëm bruto. Treguesi relativ i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve ka tejkaluar pragun teorik optimal lajmëron Banka Qëndrore. Raporti i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve ishte rreth 182% në fund të tremujorit të tretë të vitit 2014. Ky raport është zvogëluar me rreth 7.2 pikë përqindje në nivel vjetor por është zgjeruar me rreth 6.2 pikë përqindje në nivel tremujor. Banka lajmëron se ecuria e regjistruar u ndikua nga zgjerimi me ritme më të moderuara të eksportit të mallrave e të shërbimeve krahasuar me prirjen e regjistruar të borxhit të jashtëm bruto. Rëndësi parësore për aftësinë ripaguese të një vendi është edhe analizimi i fluksit të të ardhurave fiskale. Këto të fundit lipsen të jenë të mjaftueshme në terma afatgjatë për të mbuluar një raport të caktuar të borxhit të jashtëm bruto dhe të stokut të borxhit të jashtëm të qeverisë qendrore, këshillon Banka. Për Shqipërinë, raporti i borxhit të jashtëm bruto kundrejt të ardhurave fiskale vlerësohet në nivelin 258.9% deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2014. Megjithatë, duke filluar që nga tremujori i dytë i vitit 2013, ky raport mbetet lehtësisht mbi pragun hipotetik optimal të propozuar nga literatura e fushës, njofton Banka e Shqipërisë. Autoriteti Qëndror Bankar shpjegon se, aftësia afatgjatë ripaguese e vendit është e lidhur ngushtë me performancën e ekonomisë ashtu si edhe me shpërndarjen në kohë të shërbimit të borxhit të jashtëm. Në kushte optimale, shërbimi i borxhit të jashtëm nuk duhet të ketë ndikim negativ në ekonomi që mund të burojë prej përqendrimit të burimeve financiare drejt funksionit ripagues. Për të mënjanuar një dukuri të tillë, një ekonomi duhet të jetë e aftë të përmbushë detyrimet e saj të menjëhershme ndaj pagesave të principalit e të interesave të borxhit të jashtëm. Akumulimi i pagesave të prapambetura të shërbimit të borxhit të jashtëm apo edhe vonesat e vazhdueshme rrisin primet e rrezikut në ekonomi dhe ushtrojnë presion mbi aktivitetin ekonomik. Profili i financimit të jashtëm të Shqipërisë është i orientuar kryesisht ndaj borxhit afatgjatë. Ndërkohë, borxhi afatshkurtër është luhatur midis vlerës minimale 9.2% dhe vlerës maksimale 25.9% ndaj totalit të stokut të borxhit të jashtëm. Flukset hyrëse vjetore të të ardhurave prej eksportit të mallrave e të shërbimeve10 arrijnë të mbulojnë tërësisht stokun e borxhit të jashtëm afatshkurtër, ndonëse ky tregues ka shfaqur një prirje afatgjatë rritëse. Raporti ndërmjet tyre u vlerësua në nivelin 33.5% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2014, rreth 1.5 pikë përqindje më i ulët në nivel vjetor. Ky tregues dëshmon për mjaftueshmërinë e flukseve të rregullta hyrëse financiare në valutë, në mbulimin e borxhit të jashtëm afatshkurtër Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë shënoi vlerën totale prej 6,618.1 milionë eurosh në fund të tremujorit të tretë të vitit 2014. Vlera e regjistruar e stokut të borxhit u rrit me rreth 243.5 milionë euro krahasuar me tremujorin e mëparshëm, dhe me rreth 587.9 milionë euro krahasuar me stokun e tij në fund të tremujorit të tretë të vitit 2013. Në terma vjetorë, zgjerimi i stokut të borxhit të jashtëm përkon me një rritje prej 9.8%. Stoku aktual i borxhit të jashtëm bruto vlerësohet në 66.4% në raport ndaj PBB-së nominale2, rreth 4.4 pikë përqindje më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Marrë nga MONITOR)