Shtohen rastet me Autizëm, Beqaj në Lushnje: Të financojmë një pjesë të trajtimit

Shqipëria nuk bën ndryshim nga vendet e tjera të botës kur bëhet fjalë për shtim të rasteve me autizëm vitet e fundit. Por të rritësh një fëmijë autik bëhet gjithnjë e vështirë. Trajtimi i tyre është i kushtueshëm dhe nga qyteti i Lushnjes Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se vendi ka nevojë për një strategji për trajtimin dhe edukimin e tyre.Ministri i Shëndetësisë , Ilir Beqaj: “Ka ardhur momenti që edhe vetë shteti apo qeveria duhet të bëjë më shumë, sa më shumë shoqëria është në gjendje të ndihmojë shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuar , aq më shumë është i ngjizur vetë indi social i shoqërisë. Vitin tjetër ne do të kemi marrë përsipër si kujdes shëndetësor të financojmë një pjesë të shërbimit të specializuar që nevojitet edhe për rastin tuaj.”Mjekë dhe familjarë të fëmijëve kërkuan me shume vëmendjen për fëmijët e tyre.Shkaqet e autizmit janë ende të panjohura, studimet dhe investigimet në këtë rast vijojnë. Ç’rregullimet më të mëdha të autikëve janë në tru duke prekur zhvillimin normal të tyre. Studimet në Amerikë tregojnë se autizmi është i lidhur edhe me disa sëmundje të tjera si skleroza, sindromi x dhe infeksionet e lindura. Nga studimet nuk është përjashtuar as faktori gjenetik ku nëse një familjar është autik ka predispozitë më të madhe për një pasardhës tjetër me të njëjtin çrregullim.