Palestina i bashkohet Gjykatës së Hagës, reagon Izraeli dhe SHBA

Palestinezët i janë bashkuar zyrtarisht Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, një nismë kjo që shihet si e domosdoshme për të pasur mundësinë e paditjes së Izraelit për krime lufte.Në një ceremoni modeste në Hagë, të mbajtur pas nënshkrimit dy muaj më parë të statutit të gjykatës, Palestina u përfaqësua nga Ministri i Jashtëm, Riad Malki duke u bërë kështu shteti i 123-të në botë që përfshihet në të.Me kërkesë të autoriteteve palestineze, Kryeprokurori i gjykatës ka nisur që në janar hetimet paraprake mbi pretendimet e ngritura për krime të Izraelit në luftën e fundit në Gaza në pjesën e dytë të vitit 2014.Edhe pse Izraeli nuk e ka ratifikuar statutin e gjykatës, liderët civilë dhe ushtarakë të vendit mund të akuzohen për krime lufte të kryera në territorin palestinez, por edhe militantë të grupimeve ekstremiste palestineze, si Hamasi, mund të jenë subjekt i akuzave.Vendimi për t'iu bashkuar gjykatës së Hagës ka marrë kritika, pasi kjo mund të sjellë bllokim të marrëveshjes së paqes mes Palestinës dhe Izraelit.Shtetet e Bashkuara reaguan përmes një deklarate duke thënë se Palestina nuk ishte shtet sovran dhe kjo duhet të shërbente si pengesë për t'iu bashkuar gjykatës së Hagës dhe paralajmëroi se do të ndërpriste fondet për autoritetin palestinez.Ndërsa Izraeli e quajti këtë vendim si një sfidë të Palestinës për përballje dhe deklaroi se do të ngrinte menjëherë një fond prej 400 milionë dollarësh që ishte destinuar për autoritetin palestinez.