Gjykata urdhëron publikimin e letrave të Princit Karl ndaj Ministrave të Blair
Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka hapurr rrugën për publikimin e 27 letrave sekrete që Princi Karl u ka dërguar Ministrave të kabinetit Blair në vitet 2004-2005 dhe që ngrenë dyshime të mëdha mbi neutralitetin politik të mbretit të ardhshëm.Megjithatë mediat britanike raportojnë se kryeministri aktual, David Cameron, i ka thënë Karlit që do të përpiqet të ndryshojë ligjet në mënyrë që letrat të mos dalin kurrë në publik.Përmes një deklarate për mediat, Cameron ka shprehur zhgënjimin me vendimin e Gjykatës, e cila, sipas tij, nuk mund të pengojë disa pjestarë të familjes mbretërore të shkëmbejnë këndvështrimet e tyre konfidenciale me anëtarë të qeverisë.Por mbështetja e hapur ndaj monarkut të ardhshëm mund të sjellë një goditje për qeverinë aktuale në prag të zgjedhjeve të 7 majit.Vendimi i gjykatës vjen pas një beteje ligjore dhjetëvjeçare,mes mediave dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Mbretërisë, që bllokonte publikimin e tyre.Gjykatësit vendosën se ish-prokurori Dominik Griv, nuk e kishte fuqinë ligjore për ta bërë këtë veprim dhe shtuan se ishte në interes të publikut të dinte se kur dhe në ç'mënyrë, princi Karl ishte përpjekur të ndikonte në vendimet e qeverisë.Zbulimi i përmbajtjes së letrave mund të ulë edhe më tepër popullaritetin e Karlit dhe të rrisë mbështetësit e idesë që pas vdekjes së Elizabetës II në fron të kalojë direkt djali i tij Ulliam, i cili gëzon mbështetje më të madhe në publik se babai i tij.