Mesila Doda në SHBA: Shqipëria ende mes Lindjes dhe Perëndimit

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mbajti një ligjëratë në bibliotekën e Kongresit në Uashington, deputetja demokrate, Mesila Doda ka thënë se ashpërsia e gjendjes së sotme politike ka në thelb përveç prapambetjes ekonomike, edhe një autoritarizëm të skajshëm."Në thelb unë shikoj Shqipërinë në kapërcyell, Shqipërinë me një aspiratë të madhe perëndimore, që ka dëshirë të quhet një nga popujt e Perëndimit, e cila ka një histori mes Perëndimit dhe Lindjes, por që nuk shkëputet dot nga mentaliteti bizantin, lindor, në politikë apo në situatën sociale. Duhet të sillemi si njerëz të vërtetë, qoftë në politikë por edhe në trajtimin e tjetrit si qënie njerëzore, që ka nevojë për dinjitet dhe për respekt."Për çështjen e shumë diskutuar të dosjeve, Doda tha për Zërin e Amerikës se ka ardhur koha që të mësohet e vërteta, por ajo mendon se ekziston një prirje për të mbrojtur me çdo kusht persona që kanë një lidhje shumë të fortë me të kaluarën."Mendoj se ka një brez të ri të jashtëzakonshëm politikanësh, gjyqtarësh, juristësh, prokurorësh, të cilët mund të bëjnë politika të shkëlqyera për vendin e tyre. Të mos ngelemi peng i kësaj mënyre të shëmtuar, bizantine, lindore të të drejtuarit të vendit."