Refugjatët dynden në Turqi, Erdogan akuzon Perëndimin

Presidenti turk ka kritikuar Perëndimin për indiferencën që po tregon ndaj Shtetit Islamik dhe krizës së refugjatëve që çdo ditë largohen nga territoret e luftës.Erdogan:"Ndërsa terroristët presin koka dhe kryejnë ekzekutime masive, shqetësimi i vetëm i tyre janë ata dy tre vetë që i bashkohen Shtetit Islamik. Asadi ka masakruar 350 000 vetë, ka shkatërruar një shtet dhe një histori, por ata ruajnë balancat në OKB…Dyert e Europës dhe Shteteve të Bashkuara janë të mbyllura për refugjatët që duan t'i shpëtojnë dhunës në Siri. Ata ankohen menjëherë nëse ndonjë qytetari të tyre i del gjak nga hunda, por qendrojnë në heshtje ndërsa deti Mesdhe bëhet varr masiv emigrantësh".Mijëra të huaj nga më shumë se 80 shtete i janë bashkuar Shtetit Islamik, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kalojnë përmes Turqisë për të mbërritur në Siri.Turqia ka kërkuar vazhdimisht më shumë bashkëpunim nga Shërbimet Informative të vendeve perëndimore për kapjen e tyre.Vetëm një ditë më parë, një tjetër anije e mbushur me më shumë se 300 klandestinë, kryesisht nga Siria, është kapur në brigjet turke.Roja bregdetare turke ka shkëmbyer zjarr me trafikantët për të bërë të mundur ndërprerjen e udhëtimit për në Itali, çka ka sjellë edhe falenderimin nga autoritetet italiane të cilët përballen prej muajsh me një valë refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.