Rama: Europën ta ndërtojmë në rajon, duke shfrytëzuar pasuritë natyrore

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk po ecin njëtrajtësisht në rrugën e integrimit europian, por as vetë Bashkimi Europian nuk po qëndron i vendosur karshi këtyre vendeve për proçesin.Duke e analizuar me këto fjalë situatën, kryeministri shqiptar Edi Rama gjen si zgjidhjen më efektive bashkëpunimin më të fortë mes vendeve të rajonit.Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Europa Juglindore si një treg i vetëm”, Rama tha se vendet e Ballkanit duhet të ndërtojnë Europën në trojet e tyre dhe më pas të bashkohen në BE.“ Ashtu sikundër, edhe vetë Bashkimi Europian nuk po ecën drejt finalizimit të projektit, as në mënyrë homogjene, por edhe as në mënyrë të vendosur. Ndaj unë besoj se është shumë e rëndësishme që ne si vend të bëjmë çmos që të shtyjmë sa më shumë drejt harmonizimit të zhvillimit rajonal, duke forcuar urat e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, me interes të përbashkët, si transporti dhe si tregtia, pa dyshim, si energjia dhe si shërbimet financiare po ashtu, që stimulojnë rritjen e hapësirës së një tregu të integruar, por pa harruar asnjëherë se të gjitha këto së bashku nuk do të arrijnë dot të na japin atë që kërkojmë nëse së bashku ne nuk do arrijmë të formësojmë një politikë rajonale të dakordësuar në funksion të bashkimit tonë me Europën, si Bashkim Europian”.Kryeministri shqiptar vlerësoi se natyra është treguar bujare me vendet e Ballkanit Perëndimor me pasuritë natyrore dhe pozicionin gjeografik, i cili si një treg i integruar mund të sigurojë rritje ekonomike dhe punësim për qytetarët e rajonit.Në konferencë u diskutua dhe u hodhën ide për ta shndërruar rajonin e Europës Juglindore qe të funksionojë si një treg i vetëm.