Kombinati i Maliqit me sytë nga polakët, investimi ende s'ka nisur

Vonesat për kalimin e Ish-Kombinatit në Maliq, nga bashkia në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, ka shtyrë datën e marrjes në dorëzim nga kompania polake që e ka marrë me koncesion. Sheqeri i panxharit do të jetë kryesisht për tregun jashtë për shkak të kostos shumë të lartë, në krahasim me sheqerin e kallamit.Ndonëse punimet per rihapjen e kombinatit të sheqerit në Maliq duhet të kishin filluar që në muajin shkurt, kjo nuk ka ndodhur për shkak të zgjatjes së procedurave për kalimin e pronësisë nga Bashkia Maliq tek Ministria e Ekonomisë. Kjo ka sjellë vonesa te investitorët polakë që tani duhet të kishin nisur investimin e tyre që arrin në 70 milionë euro.Vera Begolli, përgjegjëse e Kombinatit: “Duhet të kishte filluar investimi që në muajin shkurt por pati një ndryshim të vogël tek Vendimi i Këshillit të Ministrave për t’i kaluar prona nga bashkia e Maliqit tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, kjo duhej bërë me të gjitha pronat që përfaqëson kombinati i sheqerit që kanë inventarin e vet themeltar të mjeteve kryesore, kështu që zgjati kjo si procedurë.”Rreth 300 persona do të punësohen brenda në kombinat, ndërsa me rreth 20 mijë fermerë do lidhen kontrata për prodhimin e panxharit të sheqerit.Vera Begolli, përgjegjëse e Kombinatit:  “Aty pretendohet se do të punësohen 300 punonjës brenda fabrikave që do të krijohen  këtu, dhe 20 mijë të tjerë të punësuar ose të vetëpunësuar te pjesa e fushave ku do të mbillet panxhari. Prodhimi duhet të jetë për tregun jashtë , natyrisht do të ketë dhe për tregun vendas por kjo në varësi të kostos që do të ketë sheqeri që do të prodhohet sepse sheqeri i panxharit ka një kosto shumë më të lartë se sheqeri i kallamit që ne konsumojmë sot.”Projekti për gjigantin e dikurshëm të prodhimit të sheqerit në Maliq, të rrethit të Korçës, shfaqet pas mëse 20 vitesh heshtje. Projekti polak për ndërtimin e një fabrike të re sheqeri me kapacitet 80 mijë ton në vit, ka ndezur dritën jeshile për kombinatin e braktisur prej vitesh. Punimet do të zgjasin një vit e gjysëm, dhe gjatë kësaj kohë do të bëhen kontratat me fermerët për mbjelljen e farës së panxharit.