Meksika përgatitet të presë studentët e tërbuar amerikanë!

Pas një viti të mbushur me leksione dhe provime, studentët e universiteteve amerikane pritet të dynden në plazhet meksikane për të kaluar pushimet e pranverës. Por pavarësisht parlajmërimit për të mos e tepruar me alkoolin dhe të mos të bien pre e drogës dhe dhunës, dollarët amerikanë pritet të japin një dorë në ekonominë e vendit.Zhvlerësimi i pezos meksikane ndaj dollarit amerikan këtë vit i ka bërë resortet turistike të vendit destinacione më të preferuara se ato të Floridas, Los Anxhelesit apo Hauait. Bukuritë e Kankunit dhe Plaja del Karmen janë gjithashtu tërheqëse edhe për shumë studentë kanadezë, si Lorenco, për të cilin mirësjellja dhe ngrohtësia e vendasve është mjaft e rëndësishme. Ndërsa për Karlosin nga Florida, Kankuni është përvoja më e bukur që ka kaluar.Që kur qeveria meksikane nisi luftën e pandalur ndaj karteleve të drogës në vitin 2007, më shumë se 100 000 njerëz kanë humbur jetën në konfrontimet mes palëve. Por në Kankun, ku hotelet luksoze kombinohen me plazhet mahnitëse të karaibeve, masat për të siguruar argëtimin e stundentëve janë në maksimum.Arturo Olivares, drejtori i sigurisë në Kankun, tregon se mbi 13 patrulla policie dhe 12 oficerë me motorë qarkullojnë në zonat e hoteleve dhe klubeve të natës, ndërsa në total 105 oficerë janë angazhuar që studentët amerikanë të kënaqen.Që prej marsit, Meksika çel sezonin turistik, i cili mbaron në vjeshtën e vonë. E përveç resorteve marramendëse në Atlantik dhe Paqësor, xhungla tropikale dhe rrënojat e qytetërimit Maja e bëjnë mjaft tërheqëse edhe brendësinë e shtetit.