Protesta nis në 11:00 nga Sheshi "Skënderbej" deri para kryeministrise

Opozita do të protestojë sot për të kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës pas akuzave të deputetit Doshi se kryeparlamentari ka porositur një atentat ndaj tij dhe Mhill Fufit të PD.Protesta do të nisë në orën 11:00 të paradites nga sheshi "Skënderbej" deri para zyrave të qeverisë shqiptare.Aty është parashikuar që kryetari i partisë Demokratike, të mbajë një fjalim.Ndërkohë brenda në sallën e parlamentit një pjesë e grupit demokrat do të kërkojnë largimin e menjëhershëm të Ilir Metës.Detajet e fundit të protestës u diskutuan mbrëmjen e 11 marsit 2015 në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ku pas takimit kryetari i opozitës Lulzim Basha siguroi se protesta do të jetë paqësore.Lulzim Basha: "Do të jetë dita e një proteste madhështore, popullore, qytetare dhe paqësore por vendimtare për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Do të jetë një marshim proteste madhështor i qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, i mbështetësve të PD dhe opozitës, por edhe i çdo shqiptari tjetër që do t'i bashkohet zërit të shumicës që nuk mund ta pranojë më keqqeverisjen, padrejtësinë, keqtrajtimin, mungesën e shpresës dhe perspektivës dhe ballafaqimin me eksodin apo vetëvrasjen si e vetmja alternativë. Alternativa nuk është largimi i njerëzve por largimi i qeverisë. Opozita është e vendosur për kërkesat e saj, e vendosur për dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar kuvendi, për t'i hapur rrugë drejtësisë, për t'i dhënë një shans të vërtetës. E vërteta nuk do të dalë nga një hetim i shpejtë, i përciptë nga mbyllja e shpejtë e hetimeve siç kërkojnë Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm por do të vijë nga një hetim i thellë, i zgjeruar, i plotë e i gjithëanshëm. Dhe vetëm në këtë mënyrë, nëpërmjet transparencës, shqiptarët do të mund të kurohen nga ky kancer që është bashkëjetesa e krimit me politikën"/Oranews.tv/