Thaçi në Berlin: Rusia dhe ISIS na kanosen, nxitoni të na fusni në BE
Hashim Thaçi i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të nxitojë në proçeset integruese për vendet e Ballkanit për të mos rrezikuar përhapjen e ndikimit rus dhe ekstremizmit islamik në to.Gjatë një vizite në Berlin ku është pritur nga homologu gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se shpresonte që shumë shpejt qytetarëve të Kosovës t'i akordohej liberalizimi i vizave."Natyrisht që Bashkimi Europian duhet të përshpejtojë proceset e integrimit për shtetet e rrajonit tonë qoftë brenda unionit, qoftë në NATO. Sa më shumë BE-ja e shtyn vendimin e saj për Kosovën dhe gjithë rrajonin e Ballkanit, aq më e rrezikshme bëhet gjendja për sa i përket ndikimit politik, ekonomik dhe ushtarak të Rusisë në rrajon, sidomos në disa vende. Por gjithashtu shtohet edhe rreziku i elementëve të rrezikshëm, rradikalë dhe terroristë".Sikurse bëri Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni pak ditë më parë, edhe Thaçi i ngarkoi një pjesë të fajit Serbisë për emigrimin masiv të qytetarëve."Serbia hapi kufijtë për qytetarët e Kosovës, por kur donin të ktheheshin mbrapsht, i mbylli ato. Mund të them se ky nuk është eksod por një fenomen i zmadhuar. Tani po diskutojmë me Gjermaninë rikthimin e qytetarëve, që mendohet të jenë rreth 10 000 vetë. Qeveria do të mbajë përgjegjësi për rikthimin e tyre në jetë normale".Por pavarësisht kritikave për Serbinë, Thaçi pranoi se ishte pozitiv fakti që vendi prej të cilit Kosova u shkëput 7 vjet më parë aspiron të integrohet në institucionet europiane."Mendoj që dëshira e Serbisë për të qenë më pranë familjes europiane është lajm i mirë, por mendoj se procesi i integrimit të dy vendeve tona është i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve, kështu që Serbia nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian pa njohur shtetin e Kosovës".Edhe pse ky kusht është artikuluar shpesh ditët e fundit nga disa zyrtarë të Bashkimit Europian, pjestarë të kabinetit të qeverisë së Aleksandër Vuçiçit kanë hedhur poshtë çdo mundësi që njohja e pavarësisë së Kosovës të jetë kusht për integrimin e Serbisë në BE.