Rama në Vlorë, Kryeministri lë pas zhvillimet bombastike të Tiranës

Kryeministri Rama ka lënë pas ambientin e trazuar të Tiranës pas zhvillimeve të fundit me deputetin Tom Doshi, për t'u strehuar në Vlorë.Ndalesa e parë e Kryeministrit ka qenë në Novoselë, ku i dorëzoi çelësat e banesës së re të moshuarës Dhora Gjoni.Rama premtoi rikthim në këtë familje, por këtë herë me Zahon, djalin e tij të vogël.Kryeministri në Vlorë inspektoi edhe kantierin e punimeve në lagjen "Kushtrimi" për ndërtimin e segmentit që lidh rrugën Transballkanike me autostradën Vlorë-Fier."Do ta bëjmë me rrugë model për një qytet të rëndësishëm mesdhetar dhe turistik. Bashkë me pjesën tjetër të vijës bregdetare apo Lungomaren siç i thonë vlonjatët janë dy projektet e mëdha që do të çelin fuqishëm rrugën e rilindjes së plotë të infrastrukturës të këtij qyteti, të harruar dhe të braktisur prek kaq shumë vitesh padrejtësisht".Mbushja me rërë e plazhit të Vlorës në kuadër të Lungomares, duke krijuar zona me gjerësi nga 50-100 m, ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit që shfaqi interes për mënyrën e gjelbërimit të një sipërfaqeje 5000 m2.Më pas nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Vlorë, Rama siguroi se reforma e pensioneve ofron pagesë më të lartë për të moshuarit, ndërsa shtoi se do të përfitojnë pension social edhe ata që nuk i plotësojnë kushtet.Kryeministri shperndau kartelat e disa pensionistëve përfitues nga skema e re e pensioneve, si edhe çertifikata pronësie.