Greqia rikthen tollonat, Spanja zbulon programin e ri të shpëtimit
Tollona për ushqim, kompensim për qeranë, energji elektrike falas dhe përdorim pa pagesë të transportit publik, janë disa nga masat që pritet të aprovohen në ditët në vazhdim nga qeveria greke për të luftuar varfërinë, por që mund t'i kushtojnë asaj rreth 200 milionë euro.Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga qeveria në vitin 2013, 35.7% e grekëve rrezikojnë të bien në varfëri.Burimet për këto shpenzime pritet të sigurohen përmes disa progrmave të Bashkimit Europian.Qeveria e Syriza-s pritet të marrë së shpejti këstin e fundit të programit të shpëtimit, prej 7.2 miliardë eurosh, pas shtyrjes së afatit me katër muaj të programit ekzistues të shpëtimit pavarësisht pretendimeve të disa shteteve se nuk duhet të ketë trajtim të veçantë për të.Në një intervistë televizive, Ministri i Financave, Janis Varufakis, ka konfirmuar se Greqia do t'i paguajë të gjitha detyrimet dhe se nuk dëshiron të largohet nga Eurozona, pavarësisht reformave që do të ndërmarrë."Nuk ka asnjë shans që ne të mos i paguajmë detyrimet tona ndaj FMN-së dhe borxhet afatshkurtra. Dalja nga Eurozona do të ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhë. Nuk e duam këtë dhe po punojmë që të mos ndodhë" .Por ndërsa Greqia zotohet të shlyejë borxhin, Spanja ka zbuluar se mes palëve po diskutohet në Bruksel një program i ri shpëtimi, me vlerë 30 deri 50 miliardë euro.Planin e ka zbuluar Ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos, madje pretendon se deri në 14% e asaj shume do t'i takojë vendit të tij për ta siguruar.Deklaratat e De Guindosit gjithsesi bien në kundërshtim me ato të Presidentit të Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, i cili ka mohuar zbatimin e një programi të tretë shpëtimi.