Ndërtimi i HEC-it Mirditë rrezikon përmbytjen e rrugës që lidh 2 Komuna

Rruga që lidh Rrëshenin me Komunën Kaçinar dhe Ungrejt në Mirditë, do të përmbytet nga Hidrocentrali që po ndërtohet në këtë zonë, duke izoluar në këtë mënyrë me mijëra banorë të këtyre fshatrave.Ndonëse është kryer mbi 50% e punimeve, në digën e këtij Hidrocentrali ende nuk ka një projekt ku do të ndërtohet rruga e re që i lidh këta banorë me qendrën e qytetit të Rrëshenit.Kjo problematikë është ngritur nga intelektualë dhe banorë të zonës, të cilët kërkojnë që të bëhet publik projekti ku do kalojë rruga, pasi deri në këto momente askush nuk ka dhënë informacion për këtë çështje.Edhe pse Hidrocentrali që po ndërtohet nga një firmë turke në këtë zonë ende nuk ka përfunduar, sinjali i parë i përmbytjes së kësaj rruge është dhënë këtë dimër, ku niveli i ujit në uren e Cekajve është ngritur me 2 metër, duke bllokuar edhe lëvizjen e mjeteve për disa orë në drejtim të kësaj zone.Nga ana tjetër burime konfidenciale pranë firmës kanë bërë të ditur se ende nuk ka një projekt nga do kaloja rruga, por kjo nuk i ka shqetësuar autoritetet vendore dhe as qëndrore për ti kërkuar transparencë investitorit, duke i lënë këta banorë në mëshirë të fatit.