Amnesty International - superfuqive: Nuk po mbroni të pafajshmit
Raporti vjetor i Amnesty International akuzon superfuqitë botërore se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur miliona civilë në të gjithë botën që kanë rënë pre e luftrave mes shteteve dhe grupimeve të armatosura.I mbushur me dhunë katastrofale, viti 2014 është konsideruar si një ndër më të këqinjtë në histori për sa i përket krizës së refugjatëve, pasi numri i personave që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftrave është llogaritur të jetë 50 milionë, një shifër e ngjashme me statitstikat e Luftës II Botërore. Sekretari i përgjithshëm i Amnesty International, Salil Sheti, dhe se Këshilli i Sigurisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar të pafajshmit.Salil Sheti: "Raporti ynë për 2014-2015-ën jep detaje shokuese mbi dhunën e tmerrshme dhe abuzimet me të drejtat e njeriut që kanë pësuar civilët nga Siria, në Ukrainë, nga Nigeria në Gaza. Dhe ç'është më e keqja, përgjigja e deritanishme e shteteve ka qenë e turoshme".Nga 160 shtetet e marra në analizë nga Amnesty International, në 35 prej tyre është zbuluar se operojnë grupime terroriste si Shteti Islamik, Boko Haram dhe Al-Shabab. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut këto grupime nuk po luftohen pasi pesë shtetet që kanë vend të përhershëm në këshillin e sigurisë, Rusia, Kina, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, vënë në plan të parë interesat e tyre dhe jo të jetëve njerëzore, siç është rasti i Rusisë dhe Kinës që bllokojnë padinë ndaj Sirisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve.