Dhunuan të riun në Kavajë, Totozani kërkon masa për efektivët

Avokati i Popullit, Igli Totozani, i është drejtuar me dy rekomandime Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe Prokurorit të Kavajës Artan Madani lidhur me rastin e dhunimit nga policia të një qytetari.Bëhet fjalë për rastin e keqtrajtimit fizik të shtetasit Brian Kollçaku nga disa punonjës të Komisariatit të Policisë Kavajë, konkretisht Pajtim Muhaj, Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavell. Rasti në fjalë u publikua në media në të njëjtën ditë me videon e dhunimit në Korçë të Tomi Mishës.Nga verifikimet, Avokati i Popullit ka konstatuar se veprimi i kryer nga punonjësi i policisë Pajtim Muhaj ndaj shtetasit Brian Kollçaku duke e goditur me shqelma në fytyrë nuk është në përputhje me rregullat e parashikuara në aktet normative në fuqi të cilat rregullojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit.Për këtë arsye Avokati i Popullit rekomandon analizimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli për keqtrajtimin fizik të shtetasit Brian Kollçaku.Po kështu kërkon nga Prokuroria kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme për rastin.Raporti i Avokatit dhe rrjedhja e ngjarjes“Me datën 19.02.2015, rreth orës 11.30’, punonjësit e policisë e kanë zbuluar vendin e ndodhjes së këtij personi dhe kanë marrë masa për kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë. Shtetasi Brian Kollçaku ka qënë duke udhëtuar me një automjet tip benz me ngjyrë të zezë dhe e ka kuptuar se ai po ndiqej për t’u kapur nga policia.Për t’i shpëtuar policisë ai ka tentuar të largohet dhe t’u shmanget forcave policore dhe gjatë ecjes së tij indietro ka goditur një nga makinat private të punonjësve të policisë. Në këtë moment kanë ndërhyrë dy nga punonjësit e policisë duke e kapur atë me forcë prej krahësh me qëllim shoqërimin e tij në Komisariatin e Policisë. Shtetasi në fjalë nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar me forcë të largohet prej tyre.Në ndihmë të punonjësve të policisë ka shkuar edhe shefi i sektorit të rendit Nënkomisar Pajtim Muhaj, i cili ka kryer veprime në kundështim me ligjin duke e goditur shtetasin Brian Kollçaku disa herë me shqelm në fytyrë, moment ky që është filmuar nga një video private.Pasi është shoqëruar forcërisht në komisariat, shtetasi Brian Kollcaku është ndaluar në dhomat e sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe materialet përkatëse i janë referuar organit të Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në rastin konkret shtetasi Brian Kollçaku është ndaluar nga organet e policisë si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së pronës në bashkëpunim”.