Berlin, filmi "Taksi" triumfon në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit
Filmi "Taxi" nga regjisori Iranian, Jafar Panahi, ka triumfuar si filmi më i mirë në festivalin e 65-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, duke fituar çmimin "Ariu i artë".Në dukje i çuditshëm por në thelb një këndvështrim i thellë i jetës dhe prodhimit të filmave në Iran, ky produksion i filmuar brenda një taksie ndërsa regjisori qëndronte në timon, u shfaq në kinema pavarësisht ndalimit të vendosur nga Teherani zyrtar ndaj vetë regjisorit Panahi, i cili as nuk ishte i pranishëm në Berlin për të tërhequr çmimin e madh."Panahi ka krijuar një letër dashurie për kinemanë. Filmi i tij është i mbushur me vetë dashurinë e tij për artin, komunitetin, vendin e tij dhe mbi të gjitha për audiencën e tij," tha Darren Aronofsky, kryetari i jurisë, teksa prezantoi edhe çmimin "Ariu i artë".Por çmimi u tërhoq nga mbesa e regjisorit Panahi, Hana Saeidi, e cila shfaqet edhe në film."Nuk mund të flas, jam shumë e emocionuar," tha vogëlushja në skenën e të famshmes Berlinale, teksa rrëmbeu statujën prestigjoze. Regjisori Jafar Panahi nuk lejohet të dalë nga vendi ndërsa i është ndaluar të prodhojë filma të tjerë nga autoritetet iraniane.Filma të tjerë të Panahi-t janë prezantuar në festivalin e filmit në Berlin që nga viti 2010, kohë në të cilën atij i është ndaluar të prodhojë filma për një periudhë 20 vjeçare ndërsa u dënua me 6 vjet burg për propagandë kundër sistemit. Më vonë ai u lirua por mbeti në arrest shtëpie, derisa më pas iu ndalua të dalë jashtë shtetit, për të prodhuar filma apo qoftë edhe për të shkruar skenarë.Tom Courtenay fitoi çmimin si aktori më i mirë mashkull për performancën e tij në rolin e Andrew Haigh në filmin "45 vjet" ndërsa Charlotte Rampling fitoi çmimin si aktorja më e mirë femër për rolin e saj në po të njëjtin film.Ndërsa çmimi për skenarin më të mirë shkoi për regjisorin kilian Patricio Guzman për filmin "The pearl button". Çmimet u përzgjodhën nga juria 7-anëtarëshe e kryesuar nga regjisori dhe producenti amerikan, Daniel Aronofsky. Në edicionin e 65-të të festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin u shfaqën më shumë se 400 filma, 19 prej të cilëve ishin në garë për çmimin e madh "Ariu i artë".Në festivalin e Berlinit u shfaq edhe filmi me tematikë shqiptare “Burrneshat”, i mbështetur në romanin e autores Elvira Dones. E pavarësisht vlerësimit nga kritikët botërore dhe vëmëndja në mediat ndërkombëtare si "Holliwood Reporter", "Reuters" apo "Variety", prodhimi shqiptaro-italian, nuk arriti të fitojë asnjë trofe.