Si shpërndahen ndihmat? Disa prej banorëve në Novoselë të pakënaqur

Shpërndarja e ndihmave në zonat e përmbytura është shoqëruar me debate të mëdha. Kamera e Ora News ndoqi një proçes të plotë nga Shtabi i Emergjencës deri kur pakot me ndihma shkojnë në destinacion.Vlorë-Në Novoselë sheh dhjetra makina ushtrie që ngarkohen dhe shkarkohen. Në këtë zonë të prekur nga përmbytja prej ditësh po shpërndahen ndihma.Janë të shumtë banorët që qëndrojnë jashtë derës të komunës Novoselë, e cila rrethohet me policë. Ata janë të pakënaqur për mënyrën se si po shpërndahen ndihmat.Banori: " Unë nuk kam marrë asnjë kokërr misër, asnjë kilogram".Kjo është magazina brenda Komunës, një nga dy pikat e ngritura në këtë emergjencë përmbytje. Dhoma e tregëtisë së Shqipërisë dhe Kosovës kanë dhënë ndihma, po ashtu edhe biznesi, ndërsa ushtria po sjell dyshekë.Po si ndodh shpërndarja e këtyre ndihmave? Kush i harton listat dhe a ka një regjistër kombëtar ashtu siç edhe u tha nga kryeministri Rama.Anita Shehu, përgjegjëse magazine Novoselë: " Zotërinjtë janë të pajisur me një fletëdalje e cila është e detajuar dhe përmban brenda saj të gjitha elemenentët të cilët janë dhuruar, që janë pjesë e ndihmës për familjet e përmbytura. Kjo pjesë spontohet nga ana jonë duke bërë një proçesverbal manual në pamundësi për të qenë korrekt me kompjuter dhe mënyrë dixhitale.Ekzistojnë dy përfaqësues, njëri që merr në dorëzim pjesa jonë e magazinës dhe pjesa tjetër është një përfaqësues nga kompanitë apo firmat dhuruese të këtyre materialeve. Ndërsa fotokopjet, një e mbajmë ne si magazinë, dhe tjetrën firmat dhuruese, janë me vulë sekretarie.Në bazë të listave që janë të përgatitura nga përfaqësuesit e komunës shpërndahen nëpër familje. Emrat kanë dalë nga lista e komunës që i njohin shumë mirë zonat e përmbytura dhe bëhet shpërndarje e njëjtë për të gjitha familjet e përmbytura".Inventarët janë të shkruara me dorë, elektronikisht nuk janë kaluar ende të dhënat. Shtabi i Emergjencës thotë se janë bërë disa kopje që këto të dhëna të mos humbasin. Por kur do të dëmshpërblehen banorët dhe si mund të shmangen abuzimet?Celino Jahaj, Shtabi i Emergjencës Vlorë: "Pjesa e dëmshpërblimeve nuk mund të nisë aktualisht për momentin sepse nuk ka përfunduar akoma proçesi i vlerësimit të pasurive dhe i tokave. Komisioni i vlerësimit të tokës nis 10 ditë pas kalimit të fazës së emergjencës".Ushqimi i kafshëve është sfida e fermerëve dhe institucioneve, sepse në këto zona bujqësore mbi 1200 ha tokë janë ende nën ujë.