Elbasan, komunitetet fetare njëzëri kundër shembjes së kishës katolike

Çështja e shumëpërfolur mediatikisht ditët e fundit rreth daljes së ish-pronarëve truallit ku është ndërtuar kisha katolike e Elbasanit, ka sjellë reagimin e komuniteteve fetare. Njëzëri i kanë kërkuar ndihmë Kryeministrit dhe Kreut të Parlamentit që të mos lejojnë shembjen e të vetmes kishë katolike në Elbasan.Elasan- Komunitetet fetare të Elbasanit kanë dalë njëzëri në mbrojtje të kishës katolike. Në një deklaratë të përbashkët komunitetet i janë drejtuar për ndihmë Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë për shembjen e kishës katolike "Shën Piu X"."Rasti i famullisë Shën Piu X, që tejkalon kompetencat e një famullie të klerit katolik, është preçedent për të gjitha objektet e tjera të kultit në qytetin tonë. Ky rast cënon rëndë ushtrimin e besimit, imazhin e Shqipërisë për shkak të një të kaluare represive ndaj klerit, si dhe dhunon të drejtën themelore të ushtrimit të besimit.Më 5 shkurt 2015, Gjykata e Lartë vendosi lirimin e truallit nga Kisha Katolike, edhe pse ajo është pronare legjitime prej 23 vitesh. Ankesa jonë nuk ka të bëjë me mosnjohjen e vendimit të gjykatave, por duke parë sesi funksionon ligji në Shqipëri dhe duke qenë se familja që kërkon truallin është e veshur me pushtet, ne kemi dyshimin se ky është një vendim i ndikuar, jo i drejtë dhe jo transparent”theksuan ata në deklaratën për mediat.Komunitetet fetare kanë paralajmëruar se do të informojnë të gjitha institucionet klerikale në botë që të parandalohet ajo që e kanë cilësuar cënimi i objekteve të kultit në Shqipëri.Kisha "Shën Piu X", është i vetmi objekt kulti i besimit katolik në Elbasan dhe ushtron aktivitetin e saj prej 23 vitesh.Ajo është ligjërisht pronare e çertifikuar dhe e legalizuar nga shteti shqiptar, por pak ditë më parë me anë të një vendimi Gjykata e Lartë vendosi që trualli ku është ndërtuar kisha ti kalojë pronarit, të cilën e pretendon familja Karaosmani.