Përmbytja nga HEC-et, ulen prurjet në Ultësirën e Shkodrës, tërhiqet uji
Sipërfaqja e përmbytur tre ditë më parë në fshatrat Obot dhe Goricë të komunës Ana e Malit në Shkodër është përgjysmuar.Ulja e shkarkimeve nga Hidrocentralet dhe rrjedha normale e lumit Buna, që bën shkarkimet në detin Adriatik kanë ndikuar në tërheqjen e ujit.Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile, prefekti Paulin Radovani e cilëson situatën optimale, ndërsa për kryekomunarin e Anës së Malit, Xhevat Mollca tokat e Goricës më së shumti përmbyten nga përroi.Për situatën në kaskadën e Drinit, drejtori i Hidrocentralit të Vau – Dejësit, Kujtim Prroni, thotë se aktualisht nga ky HEC po shkarkohen 750 m3/sek dhe punohet me 5 agregatë, ndërsa Komani ka ndalur shkarkimet dhe prurjet kanë rënë në 200 m3 për sekondë.Qëndrueshmëria e kushteve atmosferike i ka dhënë një frymëmarrje më të qetë Nënshkodres, e cila 3 ditë më parë nga shkarkimet mbi 1000m3/sek u përfshi nga rreziku i përmbytjeve.