Kukës, 300 ton ndihma nga Kosova për zonat e përmbytura

15 kamionë me ndihma janë mbledhur nga bizneset kosovare për t'ua dhuruar familjeve në zonat e përmbytura në jug të Shqipërisë.  Sipas Ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, këto ndihma për familjet e prekura nga përmbytjet, janë donacione në ushqime për njerëzit dhe gjënë e gjallë të dhëna nga kompanitë  private kosovare.Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë : “15 kamionë të tonazheve të ndryshme të drejtuar të gjithë në jug të Shqipërisë. Qendër do të jetë Vlora, ku do të shpërndarja e këtyre ndihmave. Ka baza ushqimore për blegtorinë, ka ushqime për popullatën dhe mendojmë që biznesi bëri për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Shqipëri, ishte tepër efikase”.Agim Shahini, kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, thekson se vlera monetare e ndihmave është mbi 200 mijë euro dhe në total janë mbi 300 ton ndihma. Agim Shahini, Kryetar i Alenacës Kosovare të Biznesit : “Kemi mobilizuar të gjitha bizneset e Kosovës dhe janë duke shkuar më shumë se 300 ton produkte të ndryshme, që kapin vlerën më shumë se 200 mijë euro. Kjo është një ndihmë fillestare dhe simbolike”.Kamionët me ndihma janë shoqëruar deri në Pikën Kufitare të Morinës nga vetë Ambasadori Minxhozi dhe Kryetari i Alenacës Kosovare të Biznesit, ndërsa pasi hyri në kufirin shqiptar, autokolona është shoqëruar nga drejtues të Shtabit të Emergjencave dhe Policisë.