OSHEE, faturat e padrejta do të fshihen nga sistemi
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes shpjegoi mënyrën e faljes së 54 mijë rasteve të abuzimit me faturat e energjisë elektrike për periudhën tetor 2008 prill 2011. Administratori i OSHEE tha se ky vendim nuk është falje, por vendosje e drejtësisë në vend.Tirane- Pas lajmërimit të Kryeministrit për falje të faturimit në mënyrë abuzive, OSHEE ka shpjeguar se si do të realizohet ky proçes.OSHEE do të fshijë nga sistemi 54 mije raste të faturimeve abuzive të cilësuara si dëm ekonomik dhe energji e pamatur.Administratori i OSHEE, Ardian Çela, theksoi edhe njëherë se kjo nismë nuk është falje, por vendosje e drejtësisë.“Sot, OSHEE po bën drejtësi. Po zbaton një vendim që i jep të drejtë konsumatorëve të cilët ndër vite kanë apeluar raste abuzive të faturimit të energjisë elektrike. Ky vendim i OSHEE nuk është falje detyrimi ndaj askujt.Absolutisht jo. Është vendosje e drejtësisë në vend. Ne çlirojmë nga detyrime të pasakta ata konsumatorë që nuk i kanë paguar këto fatura abuzuese, por i kanë apeluar rastet abuzive të faturimit dhe që sot rezultojnë të kenë patur të drejtë”.Administratori i OSHEE, Ardian Çela, ka sqaruar se rritja e prodhimit të energjisë elektrike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka bërë që të kursehen rreth 22 milion euro energji dy muajt e parë të vitit.Lista e personave që përfitojnë nga falja e faturave të vendosura në mënyrë abuzive do të publikohet në faqen online të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.