Veriu jashtë rrezikut, kaskadat e Hidrocentraleve nuk janë shqetësim

Reshjet intensive të shiut pritet të marin fund në fundjavë, duke i lënë radhën një moti të ftohtë me temperatura nën zero. Kjo pritet të përmirësoj situatën në zonën e jugut, një pjesë e të cilës është nën ujë, por njëkohësisht largon rrezikun e përmbytjeve në veri. Zv.Ministri i Energjitikës, Ilir Bejtja, deklaron se kaskadat e Hidrocentraleve nuk janë shqetësim pasi temperaturat do të vijnë në ulje.Tiranë- Ndërkohë që vëmendja ditët e fundit është në zonën e jugut, ku një pjesë e mirë është nën ujë, Qeveria ka qetësuar zonën e veriut e cila nuk ka asnjë rrezik për përmbytje.Zv.Ministri, Ilir Bejtja, ka deklaruar se në fillim të javës tjetër parashikohet mot i ftohtë me temperatura nën zero dhe pa reshje shiu.“Jemi në kushte të kontrollit të plotë të regjimit të digës në të tre HEC –et. Pra jemi brenda normave. Temperaturat janë ulur dhe do vazhdojnë të mbeten të tilla, kështu që nuk do të kemi reshje shiu akoma në zonën e ujëmbledhësit të lumit Drin, çfarë do të shkaktonte shkrirjen e dëborës”.Bejtja ka deklaruar se për shkak të motit të keq me mijëra banorë janë pa energji elektrike në të gjithë Shqipërinë.“ Në Berat 218, në Korçë 2000 e diçka, në Fier vazhdon të mbetet situata kritike rreth 15 000 gjithsej, duke përfshirë Fierin, Vlorën, Ballshin ,Lushnjen, Patosin”.Përmbytjet sipas zv.Ministrit Ilir Bejtja nuk kanë ardhur vetëm si pasojë e reshjeve intensive të shiut, por edhe për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese dhe ndërtimeve pa leje.“Shtrati i lumenjve, ose veprat e ndërtuara në to, por dhe dëmtimet që u janë bërë kanaleve. Ndërtimet që janë bërë pa leje, ose pa sistem në fusha, në zona pranë zonave të rrezikut, pra pranë lumenjve”.Aktualisht kaskada e Drinit po punon me kapacitet të plotë për prodhimin e energjisë.Ndërkohë që situata e mirë hidrike i ka lejuar KESH që të eksportojë rreth 140 mijë mega energji elektrike deri në fund të muajit.Fierza është në nivelin 291.42 metra nga 297 metra që është pika kritike,Komani 170.34 metra dhe Vau i Dejës 74.02 metra.