Nesër takimi Thaçi-Daçiç, Franca: Serbia të njohë Kosovën, më pas integrimi

Kryeministri Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daqiç, do të takohen nesër në Bruksel, në takimin e radhës të bisedimeve Kosovë-Serbi.Takimin e ka konfirmuar, Maja Koçijançiç, zëdhënësja e kryediplomates evropiane, Catherine Ashton.Të dy kryeministrat pritet të takohen dy ditë në Bruksel për të diskutuar situatën në veri dhe rrugët e shpërbërjes apo transformimit të strukturave të mbështetura nga Beogradi.Takimi vlerësohet si hyrje në periudhën më të rëndësishme të bisedimeve që brenda disa javësh duhet të çojnë në një marrëveshje kuadër për veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.Ndërkaq kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar më herët se para Serbisë qëndron pjesa më e vështirë e dialogut me Pishtinën, pasi tani duhet të zgjidhet çështja e institucioneve paralele në Kosovë.Ai ka thënë se zgjidhja më e mirë për këtë është arritja e marrëveshjes për funksionimin e bashkësive të komunave serbe.“Pa këtë marrëveshje, Serbia nuk do të ketë as të drejtë morale e as politike që të heqë institucionet e veta në Kosovë, që edhe ashtu janë në numër të vogël”, ka thënë ai.Ai ka hedhur poshtë mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe kjo sipas tij theksohet edhe  në platformën dhe rezolutën e miratuar në Kuvendin e Serbisë.Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është njohur nga mbi 90 vende të botës, por është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve pasi kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimit europian.Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Prishtina zyrtare e cila synon integrimin europian, shpreson që në fund të bisedimeve të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.