Maqedoni, Parlamenti voton ndryshimet në qeveri
Parlamenti i Maqedonisë sot do të votojë ndryshimet qeveritare, kryesisht nga radhët e partisë shqiptare BDI. Parlamenti do të votojë për plotësimin e vendeve të dy anëtarëve të kabinetit qeveritar: zëvendëskryeministres për evrointegrime Teuta Arifi dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta, pas dorëheqjeve të tyre, për shkak të konkurrimit në zgjedhjet lokale si kandidatë për Tetovën dhe Gostivarin.Në vend të zëvendëskryeministres Teuta Arifi është caktuar Fatmir Besimi, ministër i deritanishëm i Mbrojtjes, ndërsa vendin vakant të Besimit do ta zëvendësojë deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi si ministër i ri i mbrojtjes.Në vendin e ministrit të deritanishëm Nevzat Bejta do të zgjidhet Tahir Hani, i cili deri tani ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit të Transportit dhe Lidhjeve.Parlamenti do të votojë edhe për ndryshime dhe emërime në nivel të zëvendësministrave. Zv/ministri i MPB-së, Xhelal Bajrami është caktuar si zv/ministër i Transporteve, Zemri Qamili zv/ministër i MPB-së, si dhe Ardian Xheladini zv/ministër i financave.Në mbledhjen e 55 të Parlamentit, do të votohen edhe ligje dhe marrëveshje të tjera, përfshirë edhe ratifikimin e marrëveshjes midis Qeverisë së Maqedonisë dhe Shqipërisë për njohjen reciproke të patenteve si dhe për hapjen e vendkalimit kufitar Xhepishtë - Trebishtë.