Zgjedhjet 2015, Rama premton: Romët me përfaqësi në këshilla bashkiakë
Romët nuk do të shihen më si komuniteti i diskriminuar në edicione lajmesh apo tryeza të politikës dhe shoqërisë civile.Komuniteti rom dhe ai egjiptian, do të kenë përfaqësuesit e tyre së paku në nivel vendor.Në zgjedhjet e 21 qershorit, e majta do të kandidojë për Këshillat Bashkiak një emër që vjen nga radhët e këtyre komuniteteve.Premtimin e dha nga Korça, kryeministri Edi Rama, gjatë inagurimit të Qendrës Ndërkulturore të Komuniteteve, që do ti vijë në ndihmë 15 mijë egjiptianëve e 5 mijë romëve që jetojnë në këtë qytet.Edi Rama: Përpjekja juaj është një shembull frymëzues për ne, sepse është një përpjekje e vështirë në kushte shumë të vështira dhe përballë një muri të lartë paragjykimesh dhe indiference që shpesh fatkeqësisht rrezaton prej injorancës apo inercisë të një qasjeje të vjetër dhe racizëm.Të luftosh nga pozita juaj, tërësisht e disavantazhuar në të gjitha aspektet, për ta shembur këtë mur, është një shembull i admirueshëm dhe frymëzyes për ne që kemi shumë probleme për të trajtuar por që pa dyshim jemi në një pozicion shumë më të favorizuar se sa ju.Ju siguroj se këtë shembull të Korçës do ta shtrijmë edhe në bashkitë e tjera, duke kërkuar nga të gjithë që me përgjegjësi dhe me ndershmëri të përzgjedhin përfaqësues të këtyre komuniteteve për të pasur një zë në këto këshilla që në zgjedhjet e ardhshme marrin një peshë të re shumë më të madhe”Në qytetin juglindor, Kryeministri inaguroi edhe zyrën e shërbimit unik policor për qytetarët, ku preferoi të mos bënte komente. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u kujdes të theksonte se ka një rritjte të besimit ndaj uniformave blu nga qytetarët.Ra në sy, që këtë fundjavë në Korçë, Kryeministri shoqërohej nga Ministrat Veliaj e Tahiri dhe zëvendësi i tij Peleshi, të cilët janë përfolur si kandidatë për zgjedhjet lokale.