Mamurras, i iku dhunës së bashkëshortit. Jeton në varfëri ekstreme me 3 fëmijë të vegjël
Etleva është vetëm 26 vjeçe, por vuajtjet e 5 viteve të fundit të martesës, e bëjnë të duket më shumë. Bashkëshorti e dhunonte fizikisht atë dhe 3 fëmijët e saj. I bënte presion psikologjik, derisa tentoi ta vrasë me armë, momenti që i tha stop!"Na dhunonte gjithmonë. Mua dhe fëmijët" tregon Etleva ndërsa në prehër mban djalin e vogël.Pas denoncimit në polici, burri i dhunshëm u arrestua, ndërsa sot nëna e tre fëmijëve Etleva Guri nga qyteti i Mamurrasit jeton te prindërit e saj, por në varfëri ekstreme.Me vetëm 4500 lekë në muaj ndihmë ekonomike, 26 vjeçarja rrëfen, se nuk mund të bëjë asgjë. As rroba për fëmijën në shkollë nuk mund të sigurojë, pa folur për ushqimin e përditshëm. Nëna e re apelon për një vendstrehim."Kam kërkuar ndihmë por nuk më ka dhënë asnjë rrugëzgjidhje. Natën që më kërcënoi me armë nuk e denoncova, por erdhi këtu (në shtëpinë e prindëve të saj) dhe më rrahu unë e kam denoncuar. Më kanë lidhur një përkrahje, por më kanë thënë që nuk të takon asgjë tjetër. Kërkoj ndihmë nga shteti pasi prindërit s’kanë mundësi të më mbajnë."Nëna e 26-vjeçares Vera Murati teksa rrëfen për veshtirësitë e cila ka kaluar e bija për 5 vjet, shton se e ka të pamundur që ta mbajë bashkë me tre fëmijët e vegjël."Ajo kishte 5 vjet që dhunohej nga bashkëshorti por nuk e dija, derisa një natë para Vitit të Ri ka marrë çiften ta vrasin. Vajza ime ka dalë nga shtëpia me fëmijët dhe është larguar" thotë Vera.26-vjeçarja Etleva Guri prej 8 vitesh ishte e martuar në fshatin Shënmri të Kurbinit, por dhuna nën efektin e alkolit e bashkëshortit, ia bëri të pamundur bashkëjetesën.Aktualisht ajo jeton në një dhomë 7 metra katrore tek prindërit në Mamurras. Në të njëjtën banesë jetojnë dhe dy vëllezërit e saj me familjet.
/Oranews.tv/