Dekriminalizimi, Balla: Do merremi me ref. në drejtësi; Pollo: Me këta deputetë?
Kuvendi duket se nuk do të mund të mbyllë brenda këtij sesioni hartimin dhe miratimin e një ligji për dekriminalizmin e parlamentit dhe institucioneve shtetërore.Edhe pse kjo çështje për muaj me radhë u kthye në betejë politike mes mazhorancës dhe opozitës, deputeti socialist Taulant Balla tha në “Tonight Ilva Tare”, se prioritet i mazhorancës në këtë gjashtë mujor do të jetë reforma në drejtësi, që sipas tij lidhet jo pak dhe me dekriminalizimin.Sipas Ballës një ligj i tillë kërkon kohë dhe në disfavor të kësaj pjesë janë dhe zgjedhjet vendore të qershorit.“Këto gjashtë muaj kanë disa sfida të rëndësishme për vendin, ku sfida kryesore është reforma në drejtësi. Nuk është dekriminalizimi një nga reformat më të thella që mund të kryehet gjatë këtij gjashtë mujori.Jam dakord që asaj rezolute dhe asaj marrëveshje ti shkojmë një më një. Sfida më e madhe e vendit tonë është reforma në drejtësi. Do ta lidhja dhe me këtë element. Pa një refornmë të thellë në drejtësi, pa gjykatë të pavarur dhe prokurori funksionale nuk do kemi mundësi të shërojmë plagë të caktuara të shoqërisë shqiptare në çdo pjesë të saj.Edhe kjo historia e elementëve me precedent penalë të infiltruar në pjesë të caktuara të administratës apo nivele të caktuara politike janë për shkak të një sistemi defektoz të drejtësisë.Këto 6 muaj, duam apo s’duam ne në kryefjalë të politikës do jenë zgjedhjet e ardhshme të 21 qershorit. Tre muajshi tjetër pas marsit do jenë muajt e një fushate elektorale. PS dhe mazhoranca e kanë mbështetur nisjen e një proçesi për këtë çështje”.Megjithatë Balla vlerësoi se ligji për dekriminalizmin është i domosdoshëm për ti dhënë fund akuzave të pabaza dhe shpifjeve.“Janë të shumta arsyet pse ka nevojë për të identifikuar çdo lloj akuze të hedhur me vend apo pa vend. Elementë të caktuar kriminalë ti tregohen publikut që nuk duhet votuar.Unë do të doja ta bënim edhe në një muaj, por është proçes për të cilin kemi rënë dakord që të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe me eksperiencat më të mira të BE.Ka një institucion si Komisioni i Venecias që do na qartësojë rrugën ligjore që duhet të ndjekim. Ne duam që problemi të shërohet dhe historia që në parlamentin e Shqipërisë pa asnjë lloj baze njëra palë hedh baltë mbi një deputetet të caktuar pa asnjë lloj baze dhe pa prova duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë”.Por deputeti demokrat Genc Pollo thekson nevoja për dekriminalizimin e Kuvendit dhe institucioneve shtetërore është një emergjencë që nuk pret.Sipas tij mazhoranca e sotme krijoi një rast të papreçedentë me përqëndrimin e ish-burgaxhinjve në postet kyçe. Pollo foli për 19-21 elementë kriminalë vetëm në Kuvend, por pa i identifikuar me emra përveç dhunuesit të Strazimirit.“ Shqipëria ka shans të madh këto 6 muaj në vijim të marrëveshjes politike të detyruar nga BE për të dalë nga një rrugë rrëshqitëse. Ka pasur probleme në nivele të ndryshme në 23 vitet e fundit, por statistikisht e provuar asnjëherë nuk kemi pasur një përqëndrim kaq të madh ish-burgaxhinjsh, persona me vepra penale në Kuvend dhe në administratën shtetërore.Ky fenomen ka nisur në nëntor 2013, atëherë filloi dhe denoncimi një për një i PD i çdo emërimi të bërë në postet kyçe të shtetit. Ky përqëndrim i madh me 19 deri në 21 deputetë me akte kriminale nuk ka qenë asnjëherë. Kemi një situatë shumë e rëndë.Do dalin të gjitha edhe pretendimet e palës tjetër nëse ka.Doli në pah me zë të lartë pas dhunimit të deputetit tëopozitës nga një deputet josocialist që ishte futur aty për të bërë vota dhe doli që kishte një kartelë burgu të fuqishme. Kjo nxori nevojën të përqëndrohemi dhe tek deputetët që bëjnë ligjet, PS-LSI kanë shumë, dhe për ironi pikërisht këta i vendosin për të votuar reformën në drejtësi.Ky është një problem urgjent që nuk pret. Ditët në vazhdim do tregojnë seriozitetin e mazhorancës”.Balla sfidoi kolegun opozitar për një debat me emra. E megjithatë dhe vetë ai mbeti tek një objektiv: Sali Berisha. Me të cilin sipas socalistit Balla duhet të nisë dhe dekriminalizimi.
“Unë jam i gatshëm të bëjmë një debat me emra.Këta zotërinjtë bëjnë sikur nuk kanë qenë asnjëherë.Për atë rast bëjnë biografinë e deputetit në fjalë. Ky deputet ka qenë drejtues i lartë në administratën shtetërore të PD nga 2009-2013 i emëruar nga Sokol Olldashi. Doni të bëjmë debat apo të zgjidhim çështjen. Unë dua të bëhet dekriminalizimi dhe duhet t’ia fillojmë nga Sali Berisha.Kriminel më të madh në këtë vend që duhet të shporret nga politika shqiptare njëherë e përgjithmonë është krimineli Sali Berisha i akuzuar për vrasjet në Gërdec dhe 21 janar. Hajde prisni, duroni, kemi marrë një angazhim. Kjo do të ndikojë për mirë edhe në krijimin e një fjalori të ri politik.Por tani do të fillojmë proçesin dhe këta janë 19, do të ikin këta jo. Ne nuk hamë marrëveshjet, i respektojmë. Ne nuk e vrasim opozitën në bulevard, duam që kërkesat ti marrim parasysh”.