21 Janari, Tahiri: Të arrestohet eksperti Ndoc Çardaku, manipuloi provat

Partia Socialiste ka kërkuar sot arrestimin e menjëhershëm të ekspertit Ndoc Çardaku, si një kriminel që manipuloi provat e 21 Janarit.Në një konferencë për shtyp, deputeti socialist Sajmir Tahiri theksoi se Çardaku u investua për t`i dhënë imunitet autorëve të vrasjeve në 21 Janar."Ndoc Çardaku eksperti i Ministrisë së Brendshme manipuloi provat për 21 janarin. Ne kërkojmë të arrestohet pasi është kriminel që guxoi të manipulojë provat" tha Tahiri.Ndërsa e cilësoi 21 Janarin si krim shtetëror, Tahiri theksoi se pas 23 Qershorit Partia Socialiste  do të vendosë autorët e krimit para drejtësisë."Eksperti është një manipulator i makinës shtetërore që fillon nga doktori i spitalit, shefi i informatikës në Kryeministri e deri tek Kryeministri vetë.  Të gjithë këta bëjnë mirë të përgatiten, se pas 23 Qershorit do të japin llogari për 21 Janarin, të cilin Kryeministri sot shpalli me palaçollëk se do ta shpallë ditë pushimi.  Pas 23 Qershorit ne e grantojmë kryeministrin se cdo ditë të vitit do e ketë pushim por jo pushim për qetësi por për të dhënë llogari" ka theksuar Tahiri.Ndërkohë Prokuroria dorëzoi dje apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila javën e shkuar vendosi të shpallë të pafajshëm dy drejtuesë të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve gjatë protestës së dhunshme të opozitës më 21 janar të 2011.