Aksioni në Udënisht, Kryeinspektorja e INUK: Totozani i painformuar

Avokati i Popullit të informohet me mirë për vendimin për prishjen e objeteve në Udënisht. Ky është reagimi i Kryeinspektores së INUK Dallëndyshe Bici në studion e Ora News.E ftuar në emisionin e mëngjesit “Ditë e Re”, Bici tha se ndërtimet janë shpronësuar sipas ligjit dhe INUK do të rehabilitojë zonën ku ka ndërhyrë .“ Do ta ftoja Avokatin e Popullit të informohej më mirë mbi vendimet e qeverisë duke u nisur nga fakti se i ka konsideruar edhe si ndërtime pa leje, në fakt ato janë të gjitha subjekte që janë shpronësuar, pasi kanë qenë me dokumenta pronësie.Janë njoftuar sipas të gjithë legjislacionit shqiptar dhe kjo faktohet edhe nga fakti se kanë qenë shumë bashkëpunues me INUK, përveç ndonjë rasti specifik megjithëse nuk ishte i tillë. Por që në të keq të qytetarit u përdor qoftë nga Avokati i Popullit, qoftë nga ndojnë strukturë tjetër politikisht”.Kryeinspektorja paralajmëroi së shpejti ndërhyrje në zonën e Kombinatit, ndërsa këtë fundjavë INUK do të zhvillojë aksion në Lushnje.“Do vazhdojmë shumë shpejt të ndërhyjmë në zonën e “Kombinatit”, më pas në njësinë numër 8. Paralelisht kemi punuar edhe në qytetin e Lushnjes, ku në fundjavë pritet të fillojë aksioni. Pas Lushnjes vjen Fieri e kështu me radhë deri në bregdet”.Në përgjigje të akuzave të opozits për selektivitet në prishjen e ndërtimeve, Bici tha se as ka pasur as do të ketë, duke ftuar edhe qytetarët të denoncojnë rastet abuzive të pretenduara prej tyre.“As nuk ka patur dhe as nuk do të ketë selektivitet. Të gjitha ato struktura që qëndrojnë në këmbë janë struktura që kanë një dokument pronësie, megjithatë ne ftojmë opozitën sikundër dhe qytetarët të bëjnë denoncimet e nevojshme jo vetëm në Inspektoriat, por dhe organet e pushtetit vendor.Nuk jemi i vetmi organ që kontrollojmë territorin, pavarësisht se jemi i vetmi organ që ka marrë në dorë territorin kohët e fundit. Dhe në organe të tjera të akuzës apo gjykatës”.