Krimi dhe terrorizmi, Ministri Tahiri kërkon bashkëpunimin e qytetarëve
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë para mediave për të kërkuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.Duke marrë shkas nga ngjarjet kriminale në vend por dhe në qytetet europiane, ai tha se një bashkëpunim i ngushtë mes qytetarëve, policisë, prokurorisë dhe sistemit gjyqësor do ta bënte të mundur një luftë reale ndaj krimit të organizuar.“Besojmë shumë fort se aftësia jonë, nga njëra anë e koordinimit dhe bashkëpunimit fare të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, së bashku me kontributin e të gjitha institucioneve të tjera ligj zbatuese, dhe nga ana tjetër e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurtë, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim”.Ai kërkoi nga qytetarët që të mos mbyllin sytë para ç'do akti dhune apo lëvizje të dyshimtë, që mund të cënojë sigurinë e shtetasve.“Ndaj dua të kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari, që mund të kontribuojë për sigurinë e përbashkët duke mos neglizhuar asgjë, duke mos mbyllur sytë para kërcënimit të tjetrit, por duke shkëmbyer informacion menjëherë më policinë për çdo situatë që mund të përbëjë shkak për të marrë masa të menjëhershme për parandalimin dhe luftën kundër krimit.Informacion për çdo njeri që mund të kërcënoj sigurinë, për çdo makinë të dyshimtë, për çdo mjedis, lokal apo tjetër, që nxit shqetësim e dyshim, çdo e dhënë që mund të kërcënojë normalitetin e jetës tuaj e të fëmijëve tanë, raportojeni në polici. Vetëm kështu mund të parandalojmë dhe luftojmë kriminalitetin të gjithë bashkë.Por a është e rrezikuar Shqipëria nga terrorizmi? Ministri Tahiri, nuk dha përgjigje.“Kjo ishte gjithçka”.Ai rezervoi një mesazh të drejtpërdrejtë dhe për politikën.“Kush bën gabimin ta shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët, të këtij apo atij, apo akoma më keq kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve, me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit, që ndër ne nuk mund e nuk duhet të gjejë asnjë çarje e as dallim”.Prej dy ditësh Polica e Shtetit, ka ndërmarrë një aksion të gjerë kombëtar, për goditjen e personave me preçedent penal apo në kërkim policor, duke ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në të gjithë rrugët e vendit.