Albatros Rexhaj: Elitat në Tiranë hipokrite, bëjnë kompromise e bërtasin “Je Suis Charlie”
Shkrimtari Albatros Rexhaj këtë të shtunë ishte përballë gazetarit Mustafa Nano në emisionin “Jamais Vu” në RTV Ora News.Mes fotove të prezantuara në emision, shkrimtari Rexhaj u përball edhe me një foto të Presidentit të Francës Hollande, me truproja, por që pamja dhe sytë e tij tregonin pasiguri dhe frikë.“Populli ka të drejtë të frikohet, por jo i pari i shtetit”, tha Albatros Rexhaj duke parë këtë foto. Më pas ai tha se nuk do të fliste për francezët por për shqiptarët. “Ajo që mua më frikon është një qasje gati hipokrite e elitave jona. Harrojnë që ajo gazetë që ka thumbuar politikanët dhe majën më të lartë të elitës, ka pasur një funksion shumë të fuqishëm në promovimin e mendimit kritik. Mirëpo ndodh që njerëzit që mundohen, në mos provokojnë të tjetrë e për më tepër të bëjnë kompromise, tani bërtasin me të madhe “Je Suis Charlie”.I pyetur se si e shikon ngjarjen e aktit terrorist në qendër të Parisit, në tërësinë e saj, Albatros Rexhaj tha: “Në mendimin tim po ndodhin disa gjëra: Liria si koncept, që pas rënies së murit të Berlinit, nuk ka qenë ndonjëherë më e sfiduar si tani. E dyta mendoj se jemi në një kryqëzim të madh. Rinia myslimane është në një krizë të madhe të identitetit. Një pjesë e shteteve me besim mysliman kanë dalë vonë nga kolonilializmi. E tani vjen bota e internetit. Dhe kjo ka krijuar krizë identiteti. Kjo vlen edhe për ata që kanë lindur e janë rritur në Evropë. Unë kam përvoja të hidhura, sepse kjo shtresë në Evropë jeton në geto dhe kanë përqafuar idenë e getos. Është krijuar dhe një hendek kulturor, që ideologët që sponsorizojnë terrorizmin e kanë shfrytëzuar për të bërë rekrutime. Këtu nuk futen vetëm ata që janë të paarsimuar, por edhe ata që kanë diplomuar nëpër universitete. Sepse janë bërë pjesë e dogmës. Këtu është ideja e lirisë dhe e jo lirisë”