Kukës, mallra kondrabandë nga Morini, arrestohen kondrabandistët
Policia e Kukësit ka vënë në pranga disa perosna të cilët kanë transportuar mallra kondrabandë, përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinit, me destinacion tregun e Kukësit.Kështu, sipas të dhënave zyrtare të policisë, bëhet e ditur se në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, mbi aktivitetin kriminal në fushën e kondrabandës, nga strukturat e specializuara është finalizuar me sukses operacioni i koduar "Morina 1", ku është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Qemal Duraku 52 vjeç, Liman Duraku 46 vjeç, Gentian Duraku 23 vjeç, që të tre banues në Morin.Arrestimi i këtyre personave, sipas policisë, është bërë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të "Kondrabandës me mallra që paguhen akcizë" dhe "Përvetësim i mallrave të vjedhura".Siç bëhet e ditur mallrat janë gjetur në ambjentet që posedonin në afërsi të doganës së Morinit, ku i'u është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2 ton kafe kondrabandë.Gjatë zhvillimit të këtij operacioni është bërë kapja në flagrancë e shtetasit Dritan Tusha 20 vjeç dhe është shpallur në kërkim shtetasi Ismen Rexha 20 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë në afërsi të doganës, duke transportuar një sasi prej 1.2 ton patate.Tashmë, materialet në ngarkim të këtyre shtetasve do i referohen Prokurorisë për veprën penale "Kondrabandë me mallra kryer në bashkëpunim”.Ndërkohë, policia e Kukësit po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.