Tropojë, familja Demaj 10 minuta larg gjaksit, kërkon ndihmë nga shteti

Në skajin më verior të Shqipërisë, rrëzë malit të Shkëlzenit në rrethin e Tropojës, Familja Demaj, mbush të tretin vit në ngujim. Historia e gjakut për ta nis në Kosovë. Djali i familjes Demaj, qëllon për vdekje dy persona, nga tre që i kishin zënë pritë në 16 maj të vitit 2012.“Në gjakmarrje kemi hyrë në 16 maj 2012. Të ngujuar jemi, jemi dy pleq, burrin e kam 80 vjeç vetë jam 62 vjeçe. I çoj fëmijët në shkollë dhe nuk e di a më vijnë a s’më vijnë. U thosha nuseve mos ua vishini fëmijëve rrobat e kuqe se e ke malin lart dhe na i vret dikush  në oborr.”, rrëfen me lot në sy Nurija, nëna e djalit e cili ka vrarë dy persona.Kërkesa e saj, është në formë lutjeje: Shteti t'i shpëtojë familjen nga frika e vdekjes. Pasi fëmijët e Nuries, emigruan në Belgjikë, refuzimi për të qëndruar ishte i menjëhershëm me pretendimin se familja në të cilën kishin hyrë në hasmëri ishte e një shtetësie tjetër, asaj Kosovare dhe për ta nuk sillte ndonjë rrezik. Ndërkohë, distanca që i ndan këto dy familje është vetëm 10 minuta.“Kërkoj nga shteti që të më shpëtojë familjen. Gjaksin me makinë e kam 10 minuta larg, edhe më këmbë bën gjysmë ore. Shteti belg ka dhënë se Kosova është një shtet tjetër”, u shpreh Nurija.Donacionet ndërkombëtare për gjakmarrjen mesa duket janë një show mediatik, pasi në këtë familje, në kullën e të cilës janë të ngujuar 11 persona, nuk ka shkuar asnjë qindarkë, të ardhurat e vetme janë pensionet, që pjesa më e madhe e tyre shkojnë për medikamente.“Marr 200 mijë lekë, 150 i marr ilaçe bashkë me burrin dhe bile a më dalin a s’më dalin. Asgjë tjetër nuk kam mundësi, punoj punë dore dhe shes. Por une e doja ndihmesën nga shteti, se shteti i ka marrë paratë por nuk i ka sjelle tek mua”, thotë Nurija.Nurija bën thirrje për ndihmë. I lutet shtetit t'i sigurojë një minimum jetese, një mbrojtje për familjen e saj, për t'i dhënë mundësi që fëmijët e famijes Demaj të shkollohen. Që tmerri për këtë familje të marrë fund.