PD akuza Dakos: Kryebashkiaku i Durrësit shkeli ligjin për tenderat

Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Durresit se ka shkelur ligjin për tenderat.Sipas kreut të PD-së së qytetit, kryebashkiaku Dako ka lejuar një kompani të administrojë një shesh parkingu ende pa u mbyllur konkursi.“Në realitet ky shesh ka një muaj që është bërë dhuratë si për festat e fundvitit miqve të Vangjush Dakos. Partia Demokratike mbështet çdo iniciativë ligjore, iniciativën e lirë dhe biznesin privat, por denoncon me gojën plot kryebashkiakun i cili merr vendime në kundërshtim me ligjin.Abuzon në emër të ligjit dhe pasurisë publike. I kujtojmë Prokurorisë që ka dosje të arkivuara për z Dako dhe të fillojë ti shkundë ato dosje. Të mos veprohet me dy standarde”, tha Stafa.Deputeti Oert Bylykbashi ka deklaruar se ky veprim është shprehje e veprimtarive te paligjshme dhe abuzive të Bashkisë së Durrësit.

“Kjo është e papranueshme. Nëse kemi një garë të hapur që e ka afatin nesër, çdo veprim që është deri më tani është shkelje ligji dhe ka jo vetëm përgjegjësi politike e publike por edhe penale. Në fakt kjo është prova se si ky pushtet po shpërndan pasurinë publike, po shpërndan paranë publike tek klientët të tij nepërmjet tenderash fallso”, tha Bylykbashi.

Në faqen e saj zyrtare Bashkia e Durrësit ka shpallur Konkursin e hapur, per administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë në sheshin "26 Nëntori" , ku afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është data 22.12.2014.