Qeveria po kthen eksodin, PD denoncon rritjen e vrasjeve e kriminalitetit
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka denoncuar rritjen e pasigurisë dhe kriminalitetit në vend.Sipas tij, teksa në Shqipëri janë instaluar bandat dhe po vriten qytetarë çdo ditë, qeveria po i merr shpirtin të pamundurve duke iu shkatërruar shtëpitë dhe duke lenë në errësirë qindra familje të varfëra.“Plumbat e kriminelëve, që sipas Kryeministrit Rama, vazhdojnë të lajnë hesapet në pritje të rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, kanë shkaktuar 2 të vdekur dhe 1 të plagosur, dje në Shkodër dhe 1 të plagosur në Tiranë.Ndërkohë, po dje, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në aksidente automobilistike. Ndërkohë, dordomuzët me dajak në dorë, po kryejnë formalitetet dhe po i marrin shpirtin të pamundurve duke iu shkatërruar shtepitë dhe duke lenë në errësirë qindra familje të varfëra”.Kjo situatë sipas Arben Ristanit, po i detyron shqiptarët ti kthehen eksodeve masive, duke e kthyer vendin 25 vjet pas.“Hapni mendjen dhe mendoni, pushtetar pseudorilindas, hapni veshet dhe sytë dhe perceptoni, skamja dhe mjerimi që po mbillni, dhuna dhe padrejtësia, janë faktorë që shtojnë krimin. Kthimi i Shqipërisë në një burg të madh, nuk është zgjidhja për një popull që synon prosperitetin në familjen Europiane.Po i detyroni shqiptarët ti kthehen eksodeve masive sepse po e ktheni Shqipërinë 25 vjet pas, por hapni mendjen dhe mendoni, pseudorilindas, etërit tuaj nuk e patën fundin të lumtur”. Partia Demokratike, tha Ristani, në mënyrë të përsëritur, ka kërkuar të tërheqë vëmendjen e atyre që kanë përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë, që të përqendrojnë punën e Policisë së Shtetit, pikërisht te detyra parësore, parandalimi dhe goditja e krimit.