Rama vizitë në fabrikën e “energjisë së gjelbër”: Do mbështesim këtë industri

Një fabrikë e re riciklimi dhe prodhimi i peleteve që cilësohet si "energji e gjelbër”, impianti më i madh në fushën e riciklimit në vend, është vënë në punë në Maliq, Korçë.Në këtë fabrikë ishte sot, Kryeministri Edi Rama, për t’u njohur nga afër me këtë investim të suksesshëm.Me një investim 1.5 milionë euro, impianti ka në përdorim teknologjinë më bashkëkohore në prodhimin e energjisë bio. Ndërkohë që riciklohen mbeturinat e përpunuesve të drurit, sipërmarrësi ka mbjellë deri tani mbi 6 000 pemë dhe planifikon pyllëzimin e qindra hektarëve në fushën e Maliqit.Sipërmarrësi i kompanisë tha se ambicia e tij është që brenda 5 viteve, gjithë prodhimi i peletit të përdorë këtë lëndë të parë, duke synuar edhe tregun e huaj. Një tjetër ambicie e sipërmarrësit është krijimi i një cikli pune që angazhon deri në njëmijë të punësuar.Kryeministri Rama shprehu mbështetjen për zhvillimin e kësaj industrie jo vetëm për përmasën e saj ekologjike, por edhe për ndikimin e saj në uljen e kostos së energjisë për ngrohje deri në 40%.“Qeveria jonë kritikohet se po bën shumë gjëra dhe po i bën shumë shpejt. Ne e kritikojmë veten se po bëjmë më pak se ç’duam dhe po i bëjmë më ngadalë se ç’duhet. Kështu që vitin e ardhshëm do japim gjithë mbështetjen e nevojshme, siç ta dhamë këtë vit, në mënyrë që jo vetëm të krijojmë këtë rrjetin për njëmijë familje që lidhen me punësim këtu, por të riciklojmë gjithë këto mbeturina që deri dje mbushnin lumenjtë dhe na shkatërruan dhe përveç kësaj, të ulim koston e ngrohjes. Kështu që, me një ulje 40% të kostos së ngrohjes familjare, edhe faturat e energjisë paguhen më me kënaqësi. E mbi të gjitha paguani energjinë,” – u shpreh Kryeministri.