Rama fton qytetarët të kalojnë festat e fundvitit në Korçë
Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Korçës kryeministri Rama ka vazhduar inspektimet në një sërë projektesh që janë duke u zbatuar, të cilat kapin shifrën e 9 milion dollarëve.Fillimisht ai është ndalur tek parku “Rinia”, tek i cili prej disa muajsh ka nisur një rikonstruksion terësor, ku nuk ka nguruar të japë edhe ide të vogla rreth punimeve.Më pas inspektimi është zhvendosur tek pazari i vjetër i Korçës, ku prej disa javësh ka nisur rikonstruksioni i fasadave të këtij pazari, një projekt ky që kap shifrën e 4 milion dollarëve,3 prej të cilave të investuara nga qeveria shqiptare. Inspektimin e tij Rama e ka mbyllur me kullën para Teatrit, e cila ka ngjallur jo pak debate në qytet dhe për mënyrën se si sheshi mund të merrte një pamje tjetër.Rama duke vlerësuar punimet që po kryhen, ftoi të gjithë qytetarët për të kaluar festat e fundvitit në Korçë, pasi ajo se çfarë ofron tashmë qyteti është krejt tjetër.“Korça ka vite që është vendi më i bukur për të kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, por besoj se kush do të ketë fatin të gjejë një vend për të kaluar natën e Krishtlindjeve në Korçë, do të ketë dhe mundësinë të prekë nga afër për herë të parë një transformim fantastik përmes një projekti jashtëzakonisht ambicioz dhe jashtëzakonisht inovativ dhe emancipues të bashkisë së Korçës, që ne e kemi mbështetur fuqimisht dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht dhe në të ardhmen. Kemi marrë një zotim që në 4 vjet do të bëjmë për Korçën ç’nuk është bërë në 20 vjet të mara së bashku, por se siç na thonë edhe kritikët tanë po i bëjmë gjërat më shpejt se ç’duhet”.Ndërsa nuk kishte si te anashkalonte një koment për kullën e lartë.“Besoj se të gjithë ata që e kanë sharë Kullën e re të Korçës, duhet të vinë dhe të vinë e ta përdorin si një vend për ta shëruar shpirtin e tyre nga gjurmët e tmerrshme të estetikës sovjetike,” u shpreh Kryeministri Rama.Rama do të vazhdojë axhenden e tij edhe ditën e nesërme në Korçë, ndërsa pritet që ta mbyllë me Ersekën ku do të inspektoje punimet në sheshin kryesor të qytetit.
