Regjimi i vizave, Bushati-Gjosha qetësojnë shqiptarët: S’ka rikthim
Pas skandalit që shkaktoi mashtrimi për azil në Gjermani në Vlorë, dy Ministrat Ditmir Bushati dhe Klajda Gjosha, qetësojnë shqiptarët duke deklaruar se nuk ka asnjë rrezik për rikthim të regjimit të vizave për shqiptarët.Atë që ndodhi në Vlorë, ku qindra banorë u dyndën në port për t’iu drejtuar Gjermanisë me kërkesën për azil, dy Ministrat e konsiderojnë thjesht një skemë mashtrimi, të cilës autoritetet i dhanë përgjigje të menjëhershme.“ Kam përshtypjen që jemi përballë një mashtrimi dhe skemat e mashtrimit si të tilla duhet të dënohen dhe ndëshkohen ligjërisht.Nga ana tjetër do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe i bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që të mos kemi spekulime me këtë çështje.Pasi në rast se do tu referohemi vlerësimeve të BE për Shqipërinë të miratuara në Këshillin e Ministrave të BE shprehet qartë lufta që ka bërë Shqipëria ndaj parandalimit të këtij fenomeni” u shpreh Bushati.“Për mua në radhë të parë është shumë e rëndëishme e gjithë puna që ka bërë policia kufitare për të ndaluar këta persona drejt Gjermanisë, pasi ishte një numër i madh i tyre që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria për të kërkuar azil në Gjermani.E rëndësishme është të jepet njëherë e mirë mesazhi se lëvizja e lirë dhe hyrja me vizën Shengen është e pamundur tu sigurojë shqiptarëve azil në BE dhe është e pamundur aq më tepër kur ata kërkojnë një zgjidhje ekonomike.Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithëve se kjo nuk është zgjidhja e duhur, nuk e ndihmon vendin, por mbi të gjitha nuk ndihmon ata personalisht” tha Ministrja Gjosha.Situata vuri në alarm autoritetet, që kanë nisur tashmë hetimin për të zbuluar gjithë skemën dhe personat e përfshirë në të.