Ambasadori gjerman: Mos bini pre e mashtrimeve, kush iku do kthehet
Shteti gjerman nuk e aplikon azilin ekonomik dhe të gjithë ata shqiptarë që janë mashtruar do të kthehen në Shqipëri.Nga Vlora ku një ditë më parë policia bllokoi disa autobusë dhe më pas arrestoi disa shtetas që e kishin organizuar këtë skemë mashtrimi, Ambasadori gjerman Helmut Hofmann, u drejtoi një apel qyetarëve shqiptarë që të mos bien pre e mashtrimeve.“ Shteti gjerman mund të ofrojë ashtu siç e përmend edhe Kushtetuta e tij vetëm azil politik në kushte të veçanta. Ky azil u ofrohet vetëm atyre që plotësojnë kriteret e nevojshme për tu cilësuar si përfitues të azilit politik. Shteti gjerman është i gatshëm për të ndërnarrë projekte për zbutjen e vështirësive ekonomike të shteteve në nevojë, por nuk ofron azil ekonomik”.Ndërsa për Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, që e shoqëronte në këtë vizitë Ambasadorin gjerman, qeveria mbetet e vendosur për të luftuar emigrimin ilegal. Ai kërkoi ndihmën e qyetarëve të denoncojnë rastet si ajo e së enjtes në Vlorë.“Nuk ka asnjë mundësi që në vendet e Bashkimit Europian të kërkohet azil.Shqipëria është një vend i sigurt, ku respektohen liritë dhe të drejtat themelorë të njeriut. Ashtu siç është me mundësi zero të shkosh dhe të mashtrosh autoritetet, qoftë këtu apo në autoritetet në Bashkimin Europian. Policia po zhvillon hetime të plota, të cilat nuk ja të përqendruara vetëm në Vlorë, por në disa qarqe të vendit .Unë do t’i inkurajoja qytetarët të denoncojnë mashtruesit ose organizatorët e kësaj sipërmarrje të çmendur dhe do t’i ftoja qytetarët të ndanin me ne çdo informacion lidhur me njerëz të cilët përfitojnë nga qytetarët shqiptarë para, për t’i përplasur pastaj kundër autoriteteve, si këtu apo si në vendet e Bashkimit Europian. Hetimi është i shtrirë në disa qarqe.Do të vijojmë. Dhe askush që deri më sot ka organizuar këtë rrjet të paligjshëm të azilkërkuesve potencialë do të shkojë përpara drejtësisë”.Numri i azilkërkuesve shqiptarë drejt Gjermanisë që nga tetori i këtij viti është 10-fishuar.Shumica e personave që ishin nisur drejt Gjermanisë për të kërkuar azil ekonomik ishin nga fshatrat e Vlorës dhe qytete si Lushnja dhe Elbasani.Deri tani janë 5 të arrestuar për mashtrimin me azilin dhe hetimet janë shtrirë dhe tek asetet pasurore të trafikuesve.