Serbia do të formojë konfederatën ballkanike pa Shqipërinë
Partia Demokratike e Serbisë kërkon formimin e një konfederate ballkanike, pa përfshirjen e Shqipërisë. Borislav Stefanoviç, deputeti i partisë së ish-presidentit Boris Tadiç, ka hedhur propozimin për bashkimin e vendeve të rajonit, në mënyrë që të kenë perspektivë më të mirë për hyrje më të shpejtë në Bashkimin Europian. Megjithatë, në konfederatën e propozuar prej tij, Stefanoviç ka lënë jashtë Shqipërinë, duke krijuar idenë e një Jugosllavie të cunguar, pa përfshirjen e Kroacisë dhe Sllovenisë. "Bashkësinë e re politike të Ballkanit perëndimor do të duhej ta përbëjnë Serbia, Kosova, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia, e ndoshta edhe Mali i Zi. Kjo do të ishte konfederatë e bashkësive me organe miniature të përbashkëta për marrëdhënie me Brukselin", ka thënë Stefanoviçi në konferencën "Bota në vitin 2015", të mbajtur në Beograd.Ish-kryenegociatori i bisedimeve Beograd-Prishtinë, pjestar i Partisë Demokratike, që konsiderohet si krahu u moderuar në politikën serbe, ka siguruar se ky projekt do të garantonte më tepër unitetin e Bosnjes dhe nuk do ta zvogëlonte sovranitetin e asnjërit prej vendeve të tjera."Mund të jemi më të mirë ose më të këqij, por kurrë nuk do të vlerësohemi në mënyrë parciale, por si Ballkan perëndimor, sepse kështu na vlerësojnë në Europë", është shprehur Stefanoviç. Për të, gjithsesi, Bashkimi Europian ku vendet e rrajonit duan të integrohen nuk është i çliruar nga korrupsioni dhe burokracia. /Oranews.tv/