Reforma në arsimin e lartë, Rama: Nis faza e dytë, matja e cilësisë

Teksa e ka cilësuar reformën në sistemin e arsimit të lartë njësoj të dhimshme por të domosdoshme si aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje apo për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë, kryeministri Rama paralajmëroi se tashmë për universitetet shqiptare nis një tjetër provë. Pas procesit të ligjshmërisë, pas së cilit u mbyllën 18 universitete private në vend, tashmë universitetet që e kaluan provën e parë, do t’i nënshtrohen testit të cilësisë."Bazuar në kushtet e ligjshmërisë, sot universitetet që funskionojnë janë në rregull por sesa janë në rregull sipas kritereve të cilësisë që duhet të garantojnë, këtë do të na e tregojë ky proces. Do të jetë një proces i dhimbshëm, që padyshim do të sjellë të tjera dhimbje në rrugën e rilindjes së arsimit të lartë. Një proces që do të na ballafaqojë me shifra, fakte dhe prova rrënqethëse të një degradimi konstant për vite të tëra".Edhe reformën në arsim, sikurse në sektorët e shpallur si prioritarë nga qeveria, Rama e cilësoi si emergjencë kombëtare."Arsimi i lartë po merr formën përfundimtare. Sot e gjithë ditën besoj se ashtu si edhe në të gjithë sektorët, edhe në këtë fushë jemi në kushtet e emergjencvës kombëtare"Kryeministri përdori edhe fjalët e filozofit grek Aristotelit, për t'ju adresuar reformës në sistemin arsimor."Rrënjët e edukimit janë të hidhura por frutat janë të ëmbla. S’mund të ketë edukim të ngritur mbi rrënjë që ushqehen nga mjalti i gënjeshtrave".Deklaratat u bënë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë sonë të arsimit dhe Agjencisë britanike, sipas së cilës kjo e fundit do të mbikëqyrë procesin e akredimit të universiteteve. Kjo agjenci është krijuar në 1997 dhe përvecse punon për Anglinë, Uellsin, Irlandën e Veriut dhe Skocinë, tashmë do të ndihmojë me ekspertizën e saj edhe sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.