Kodheli: Do të shtohet prania e forcave tona në KFOR, Kosovë

Rritje të pranisë ushtarake shqiptare në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe vazhdim të misioneve në Afganistan, këto janë vetëm dy prej objektivave të ministrisë së Mbrojtjes për vitin që vjen.Ministrja Mimi Kodheli konfirmoi gjithashtu vijimin e ndihmes se vendit tonë në kuadër të misionit të udhëhequr nga aleati strategjik SHBA kundër terrorizmit.“Modernizimi, infrastruktura dhe mbështetja logjistike. Prioriteti kryesor në këtë fushë të vijojë të mbetet plotësimi i kapaciteteve të strukturave të Forcave të Armatosura, të cilat do të jenë të gatshme për pjesëmarrjen në operacionet e drejtuara nga NATO, si dhe atyre për përballimin e situatave të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit. Gjatë vitit 2015, Forcat e Armatosura të planëzojnë e të marrin pjesë në misionin “Resolute Support” të NATO-s në Afganistan, në përputhje me nivelin e ambicies kombëtare dhe kërkesat e NATO-s, si dhe të kontribuojnë në misionin e BE-së, në Mali (EUTM MALI) me instruktorë EOD. Niveli i përfaqësimit në KFOR, Kosovë të pësojë rritje, ndërsa në ALTHEA, Bosnje – Hercegovinë të ruhet, duke e vënë theksin në rritjen e cilësisë së pjesëmarrjes”, tha Kodheli.Demontimi i mbi 17 ton municioneve të Malit të Zi ka shtyre ministrinë e Mbrojtjes të ndërmarrë të tjera nisma me vendet e tjera të rajonit.“Synimi i zbatimit të programeve për asgjësimin e municioneve, të jetë krijimi i një mjedisi të sigurt në vend, rajon e më gjerë. Në bazë të suksesit të projektit-pilot të demontimit me Malin e Zi të studiohen mundësi të tjera për projekte të ngjashme me vendet e rajonit. Zëvendësimi gradual i armatimit të vjetër me armatimin sipas standardeve të NATO-s. Përfundimi i projektit të helikopterëve dhe anijeve patrulluese”, u shpreh ministrja Kodheli.Ministrja Kodheli theksoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s duhet të vazhdojë të luaje rolin e stabilizatorit në Ballkan dhe të kontribuojë në anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit në Aleancë.