Dita e heshtjes në Ukrainë, ushtria dhe rebelët nuk do të qëllojnë njëri tjetrin

Sot Ukraina është në ditën e heshtjes, e pagëzuar kështu nga presidenti i vendit Petro Poroshenko, në një përpjekje për të rinisur bisedimet mbi marrëveshjen e armëpushimit.Deri tani, pakti është shkelur disa herë, gjë e cila çon në idenë se bisedimet e reja mes separatistëve pro rusë dhe qeverisë ukrainase duken të pasigurta.Palët nënshkruan marrëveshjen e armëpushimit në shtator të këtij viti në Minsk të Bjellorusisë, por që atëherë, sipas OKB,  thuajse 1 mijë persona janë vrarë gjatë luftimeve në lindje.Javën e kaluar, Poroshenko tha se trupat do të respektojnë Ditën e Heshtjes të martën, në përpjekje për të nxitur marrëveshjen e paqes.Ushtria e Ukrainës do të ndalë bombardimet dhe ndoshta do të tërheqë armët e rënda, nëse të njëjtën gjë bëjnë edhe separatistët, tha presidenti ukrainas.Disa nga rebelet kanë përshëndetur këtë nismë , por nuk ka siguri nëse të gjithë prorusët janë dakord për këtë propozim.Presidenti Poroshenko ka udhëtuar drejt Singaporit në një vizitë zyrtare dhe nuk do të jetë prezent sot, ndërkohë që autoritetet në Bjellorusi deklarojnë se asnjë nga palët, as rebelet dhe as qeveria në Ukraionë, nuk kanë njoftuar për mbajtjen e bisedimeve të reja.Që nga nisja e konfliktit në muajin prill , më shumë se 4300 persona kanë humbur jetën dhe thuajse një milion kanë lënë shtëpitë e tyre.Ukraina akzuon Rusinë për nxitje dhe ndihma ndaj rebelëve, akuza të cilat Rusia e ka mohuar sistematikisht.