Përplasje mes qeverisë dhe PD për testimin e mësuesve

Testimi i kandidatëvë për mësues ka shkaktuar përplasjen e radhës mes qeverisë dhe opozitës.Pasi inspektoi nga afër testimin me shkrim të kandidatëve “Mësues për Shqipërinë” në Durrës, kryeministri tha përmes Facebook se korrupsioni luftohet me reforma rrënjësore. Ndërsa shpjegon mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve nga drejtoritë respective, kreu i qeverisë nuk kursen as kritikat për qeverinë e shkuar, për formën me të cilën e lanë të katandiset arsimi shqiptar.“Testimi kombëtar i kandidatëve për mësues do të prodhojë një klasifikim të nxjerrë nga verifikimi kompjuterik i testeve. Mbi bazën e këtij klasifikimi çdo drejtori do të marrë njërin pas tjetrit mësuesit që i duhen pa pasur të drejtën të bëjë kapërcime vendesh. Fund rryshfetit, klientelizmit politik dhe tribalizmit e tarafllëkut që e kanë shkatërruar shkollën shqiptare”, shkruan Rama në FB.I menjëhershëm ka qenë reagimi i PD, po nëpërmjet rrjeteve sociale. Deputeti Luciano Boci ka një përgjigje për çdo premtim për rilindjen e arsimit shqiptar.“Testimin” e Ramës për mësuesit, të trumbetuar nga ai si arma efikase e luftës kundër korrupsionit në emërime, Boçi e sheh si “gjethen e fikut”, të cilin ai po e përdor për të mbuluar lakuriqësinë e turpshme të skandaleve të mijëra eurove rryshfet dhe të favoreve seksuale të kërkuara nga zyrtarët e majtë me orekse e epshe të pa nginjura.Ndërkohë më herët, vetë ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla në një dalje për mediat ku bëri publike shifrat dhe pjesëmarrjen në testim dhe ecurinë e procesit, nuk fshehu krenarinë dhe entuziazmin për procesin e sotëm, kur theksoi se meritokracia dhe transparenca janë sot, kryefjala e arsimit.“Sot ne iu përgjigjëm korrupsionit, iu përgjigjëm radhëve të pritjes para dyerve të drejtuesve, endja lartë e poshtë për të gjetur mikun e politikës apo të korrupsionit. Sistemi i ri i “Mësues për Shqipërinë” është përgjigja jonë për të çuar në çdo klasë e shkollë të vendit cilësinë”, u shpreh ministrja.Sipas ministres Nikolla, brenda muajit janar në të gjithë vendin do të nisin punën sipas profileve të tyre. ndërsa brenda muajit mars të vitit të ardhshëm të gjithë mësuesit në sistem do t’i nënshtrohen një testimi vlerësues.