Rama kuti online për ankesat e qytetarëve: Shkundim korrupsionin
Vetëm 5 ditë pasi lançoi nismën e qeverisë për kutinë e shërbimeve publike, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur 3 dhjetorin, datën kur çdo vit Organizata ndërkombëtare Transparency International publikon “Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit” për të konkretizuar i pari hapjen e kutisë së shërbimeve online për qytetarët në faqen e tij zyrtare në fb.Kjo kuti, do t’i japë mundësi çdo qytetari për t’u ankuar direkt për vonesat në marrjen e shërbimit. Çdo qytetar është i lirë të ankohet kundër Ministrit përgjegjës apo Kryeministrit për vonesën që ka hasur.“Mirëmëngjes! Sot po Ju vë në dispozicion “kutine e sherbimeve publike”, ku cilido mund të regjistrojë ankesën për një shërbim të vonuar jashtë afatit ligjor. Kjo kuti është një mundësi e re, që sëbashku të punojmë me këmbëngulje për të rritur cilësinë e shërbimeve të shtetit ndaj publikut. Mos nguroni të më bëni drejtëpërdrejtë me dije problemet tuaja me zyrat e shtetit”.Sipas Ramës kjo gjë jo vetëm që do të luftojë korrupsionin, por do të shkundë edhe burokracinë në zyrat e shtetit.“Jam i vetëdijshëm që jemi ende larg shtetit që shërben në afatin e duhur dhe me dinjitetin e cilësinë e duhur. Por jam po ashtu shumë i bindur që, duke ndihmuar njëri - tjetrin, në luftën me zvarritës të paaftë apo të paturp e të korruptuar, të cilët nuk mungojne e ju bëhen nganjëherë pengesë e pakalueshme në sportelet e zyrat e shtetit, do të bëjmë një punë të vyer në rrugën e ndërtimit të Shqipërise moderne europiane”.
