Kosovë, përkujtohet 70-vjetori i lindjes së Ibrahim Rugovës

Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së ish presidentit të ndjerë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bënë homazhe te varri i tij. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se Rugova mbetet një ndër personalitetet më të shquara të kësaj epoke dhe ishte themeluesi i shtetit të Kosovës."Sot po ja bëjmë nderimet kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluesit të LDK-së dhe presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij. Rugova mbetet një ndër personalitet më të shquara të kësaj epoke, themelues i shtetit të Kosovës, kreator i lirisë dhe pavarësisë, njeri i cili e frymëzoi me demokraci dhe me marrëdhënie të mira . Ai që hapi portat kyçe të vendeve të rëndësishme botërore në mënyrë që çështja e Kosovës të bëhet jo vetëm çështje e Evropës por çështje e Evropës , dhe ne natyrisht se do t'i kemi të gjitha këto parasysh në mënyrë që të ndërtojmë raport të mirë ndaj figurës së tij, respekt për figurën e tij dhe këtë respekt ta kultivojmë të gjithë gjeneratave" , tha ai.Mustafa shtoi se Rugova ishte ai që hapi të gjitha portet e Kosovës drejt Evropës.Ndërsa kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, zgjodhën rrjetin social, Facebook, për të kujtuar presidentin e ndjerë në përvjetorin e lindjes. Thaçi kujton se ka pasur fatin të punojë me Rugovën në çastet më vendimtare të historisë moderne të vendit. Ndërsa Haradinaj shkruan se "Populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët përjetë do ta kujtojnë Presidentin Rugova dhe veprën e tij".